Moti me shi ka bërë që Tirana të zgjohet me trafik të rënduar mëngjesin e kësaj të marte. Siç shihet dhe nga pamjet që ka siguruar newsbomb.al, një ndër nyjet kryesore të qarkullimit në kryeqytet është paralizuar nga trafiku.
Në zonën e Kopshtit Botanik, të dy krahët e autostradës Tiranë-Elbasan janë bllokuar.
Mjetet që vijnë nga Elbasani apo dhe zona e Liqenit të Thatë me drejtim Selitën dhe Astirin kanë mbetur në trafik. Po ashtu dhe mjetet që vijnë nga Durrësi dhe Astiri me drejtim Elbasanin. Shkak i këtij trafiku të rënduar janë punimet në zonën e Unazës së re në Astir dhe rrethrrotullimi te Liqeni Artificial.
Nyja e dytë, te Liqeni, ka qenë përherë një pikë që prodhon trafik pasi nuk përballon fluksin e mjeteve që vjen nga autostrada, shkruan newsbomb.al. E njëtë situata raportohet të jetë dhe në zonën e Astirit këtë mëngjes, ku pavarësisht punimeve dhe hapjes së disa korsive të Unazës së re, ka trafik të rënduar.