Sekretari i Partisë së Lirisë, njëherazi dhe anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Tedi Blushi, gjatë mbledhjes së sotme, i ka dhënë kryebashkiakut Erion Veliaj një palë pranga.
Këtë moment sekretari i Partisë së Lirisë e ka publikuar në llogarinë e tij në “Facebook”, teksa shprehen se prangat janë drejtësia për aferën e inceneratorit inekzistent të Tiranës dhe për qindra milionë euro e vjedhura përmes kësaj skeme kriminale.
“I dhurova sot Erjon Veliaj një palë pranga në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Prangat janë drejtësia për aferën e inceneratorit inekzistent të Tiranës dhe për qindra milionë euro të vjedhura përmes kësaj skeme kriminale. Prangat janë simboli i ndëshkimit për keqmenaxhimin dhe vjedhjen e taksave tona në këto vite.
Prangat janë ndëshkimi për betonizimin dhe shkatërrimin e Tiranës. Prangat janë shpagimi për shtëpitë e shembura në shkelje të ligjit, për gjobat e padrejta, për braktisjen dhe lënien në harresë të qytetarëve në nevojë dhe personave me aftësi të kufizuara. Prangat janë simboli i drejtësisë, me paanësi dhe jo me regji!” shkruan Blushi.
Kryebashkiaku Erion Veliaj është akuzuar nga opozita si arkiteti i Inceneratorit inekzistent të Tiranës. Më herët ish-kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi tha se Veliaj për këtë aferë ka kryer komunikime me disa ministri. Sipas ish-deputetit këto emaile faktojnë se kryebashkiaku i Tiranës është arkiteti dhe menaxheri i aferës së Inceneratorit të Tiranës dhe se SPAK është duke “mbyllur sytë” para këtyre provave.
Ndërkohë, një ditë më parë gazetarja e ekonomisë Ola Xama tregoi se në arkën e kompanisë që kishte marrë përsipër ndërtimin e inceneratorit të Tiranës, janë gjetur vetëm 30 mijë euro. Pra, një shumë e papërfillshme kur shuma e përftuar i kalon 100 milionë euro.
“Deri tani inceneratori i Tiranës ka arkëtuar mbi 100 milionë euro, sepse në QKB është dorëzuar vetëm bilanci i vitit 2021. Deri më sot kemi monitoruar pagesat për që ka bërë thesari i shtetit për kompaninë “Integrated”, e cika ka marrë 60 milionë euro nga bashkitë e Tiranës, Vorës, Kamzës, Kavajës dhe Durrësit.
Një pjesë tjetër, 40 milionë euro, janë arkëtuar nga depozitimi i dherave dhe bilanci i vitit 2022 nuk është dorëzuar akoma. Burime kanë thënë se në arkën e kompanisë nuk janë gjetur më shumë se 30 mijë euro. Pra dimë që janë marrë mbi 100 milionë euro, 40 nga ndërtuesit dhe 60 nga shteti”, tha Xama.