Hapësire reklamuese

Aktualitet

VIDEO/ I zhveshur dhe me pranga në duar, dalin pamjet e arrestimit të serial-killerit Nuredin Dumani në Fier

Shkruar nga Newsbomb
VIDEO/ I zhveshur dhe me pranga në duar, dalin pamjet e arrestimit të

Janë publikuar pamjet e momentit të arrestimit të serial-killerit Nuredin Dumanit, i cili u gjet i plagosur në një apartament në Fier.

I zhveshur dhe me pranga, Dumani pas arrestimit u dërgua menjëherë për mjekim në spitalin Rajonal të Fierit dhe më pas drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë.

Dumani kishte shkuar të strehohej në Fier, pas përplasjes me armë në Papër të Elbasanit. Ai kishte shkuar në Elbasan për të vrarë armikun e tij Talo Çela, por ky i fundit ishte në dijeni dhe 39 vjeçari nga Dibra ra në kurth e mbeti i plagosur.

Menjëherë u nis drejt Fierit dhe aty u lokalizua në një bllok pallatesh në lagjen “Apolonia”. RENEA zbarkoi brenda disa minutash në qytet dhe e prangosi teksa qëndronte në një apartament bashkë me një person tjetër.

Në mesnatë Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat bëri publike detajet e arrestimit, duke thënë që në momentin që u vu në pranga Dumani ka qenë i plagosur.

Kush është Nuredin Dumani

Shumë vite më parë 39 vjeçari nga Dibra e me banim në Durrës, ka qenë i lidhur me një rrjet prostitucioni që doli në dritë pas denoncimit të një vajze të trafikuar në Francë. Sipas dëshmisë së të resë nga Durrësi, Dumani ishte tutori i rrjetit që i mashtronte vajzat duke u propozuar martesë, në rast refuzimi i kërcënonte se do të vriste familjarët e tyre. Po ashtu, Nuredin Dumani ka provuar qelinë edhe për akuzën e vjedhjes.

I cilësuar si një ndër vrasësit me pagesë më të rrezikshëm në Shqipëri, është përfshirë në disa vrasje. Nuk ka kursyer as miqtë e tij. Dumani dyshohet se ka marrë pjesë në ekzekutimin e dy vëllezërve Haxhia në Shënavlash të Durrësit, Viktor dhe Besmir Haxhia.

Gjithashtu, i arrestuari i sotëm në Fier dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen e Anxhelo Avdylit dhe Dorian Shkozës, po në qytetin bregdetar. Motivet zyrtarisht nuk dihen, por thuhet se ata janë përfshirë në disa ngjarje kriminale dhe më pas ka lindur nevoja për “spastrime” mes radhëve. Në këto ngjarje, Dumani dyshohet se ka bashkëpunuar me mikun e tij Talo Çela.

Dy miq që më vonë u kthyen në armiq të përbetuar.

Nuredin Dumani akuzohet se për shkak të “prishjes së pazareve” me mikun Talo Çela, i ekzekutoi këtij të fundit vëllain, shkruan neësbomb.al. Bujar Çela, një taksist në të zezë u vra për shkak të miqësisë së prishur mes vëllait të tij dhe Nuredin Dumanit.

Saga e vrasjeve ky dyshohet se është përfshirë 39 vjeç nga Dibra nuk përfundon këtu. Më 20 korrik 2020, në mes të Elbasanit ekzekutohet me armë zjarri Emiljano Ramazani, baba i katër fëmijëve. Kamerat e sigurisë fiksuan në vendngjarje Klevis Kapllanin, mikun e ngushtë të Nuredin Dumanit. Ky i fundit ishte i pranishëm në Elbasan, por nuk dihet nëse ka qëlluar apo ishte vetëm vëzhgues.

Hetuesit kishin dyshime të forta se këto vrasje lidheshin me 4.6 milionë eurot e grabitura në Rinas.

Dy muaj pas vrasjes së Emiljano Ramazanit në Elbasan, Nuredin Dumani ekzekuton vetë shokun e tij, Klevis Kapllanin. Ishte pikërisht ky i fundit që e ndihmoi dhe tërhoqi këmbëzën duke i marrë jetën babait të katër fëmijëve më 20 korrik.

Kur i kishte eleminuar të gjithë shokët dhe bashkëpunëtorët, 39 vjeçari që u arrestua sonte u fokusua te i vetmi i mbijetuar. Miku me të cilin tashmë ishte armik i përbetuar, Talo Çela, ishte i vetmi objektiv që i kishte mbetur, shkruan neësbomb.al. Ama dhe ky i fundit nuk ja falte gjakun e të vëllait dhe shokëve të vrarë.

Pasditja e sotme mund të kishte prodhuar viktimën e radhës. Nuredin Dumani ishte nisur të vriste armikun e tij të fundit por nga atentator u kthye në pre. Ai ra “viktimë” e atentatit që do të kryente vetë në kryqëzimin e Peqinit, pasi Talo Çela ishte vënë në dijeni dhe e priste.

Breshëri plumbash në rrugën Elbasan-Peqim. Natyra e atentatit dhe mënyra e organizimit ngriti në këmbë Policinë dhe vuri në lëvizje Forcat Speciale, sepse u kuptua që nuk bëhej fjalë për ngjarje ordinere por një “larje hesapesh mes kokash”. Makina ku udhëtonte Nuredin Dumani u sulmua me breshëri automatiku nga një makinë tjetër ku dyshohet se ishte Talo Çela.

Për pasojë, 39 vjeçari mbeti u plagosur dhe u nis drejt Fierit. I strehuar në një apartament në lagjen “Apolonia”, telefonoi në spital dhe kërkoi ndihmë. Por, spitali vuri në dijeni sallën operative dhe në Fier ishte e gjithë Policia. I shumëkërkuari dhe një nga personat me rrezikshmëri të lartë shoqërore ishte tashmë në durat e Policisë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu