Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka shkuar në vendin ku ndodhi aksidenti te ish-kinema “Agimi” në kryeqytet. Në vendngjarje ndodhet edhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj.
Autobusi i “Unazës” u përplas me një makinë tjetër dhe për pasojë të dy mjetet ranë në lumin Lana. Për pasojë u plagosën 2 personat që ndodheshin në makinën e vogël, të cilët u nisën menjëherë në spital.
Siç shihet edhe në videon e newsbomb, makina ka përfunduar e përmbysur në Lanë, ndërsa mbi të qëndron autobusi. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë ekipet e emergjencës, ndërkohë që grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Njoftimi i policisë:
Më datë 29.04.2022, rreth orës 20:10, në afërsi të Kinema Agimi, një autobus është përplasur me një automjet, dhe si pasojë drejtuesi i autobusit ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij, dhe ka rënë në Lumin Lana
Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar dhe janë paraqitur në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën dy pasagjerët e automjetit që u përplas me autobusin.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.