Besarda P. 16 vjeçe, ka mbetur e plagosur lehtë pasditen e djeshme në Kamëz, si pasojë e një aksidenti të ndodhur në vijat e bardha ku ajo po kalonte. Mjeti BMW X5 me drejtues shtetasin Kudusi Kastrati është larguar nga vendngjarja pa pritur Policinë.
Siç shihet dhe nga pamjet që siguron newsbomb.al, dje me date 06.12.2021 rreth ores 13:00, te rrethrrotullimi ne rrugen “Bulevardi Nënë Tereza” shtetasi Kudusi Kastrati duke drejtuar mjetin “BMW X5”, ka bërë rrethrrotullimin dhe është nisur në drejtim të Kamzës.
Te vendkalimi i këmbësorëve, është përfshirë në aksident me shtetasen e mitur Besarda P., e cila po kalonte në këmbë në rrugën “Bulevardi Nënë Tereza”.
Si pasojë e aksidentit 16 vjeçarja ka mbetur e dëmtuar lehtë, të cilën e ka marrë ambulanca në vendin e ngjarjes dhe e ka çuar në Spitalin Universitar të Traumës për ndihmë mjekësore, ku sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetën.
Duke qenë se shoferi ishte larguar nga vendngjarja, shërbimet e Policisë janë vënë në kërkim të tij, dhe rreth orës 18:00, është kapur nga Policia Rrugore e Tiranës në rrugën “Bulevardi Nënë Tereza”, në parkimin e lokalit “High Class”, dhe më pas është shoqëruar në Komisariat, shkruan newsbomb.al.
Për shkak se shtetasi Kudusi Kastrati mbante era alkool, nga ana e Policisë është thirrur mjeku dhe shoferit i është marrë kampion gjaku për t'u analizuar. Teksa pasditen e djeshme pritej dalja e analizave të këtij shtetasi, ai është ndëshkuar me 20 mijë lekë të reja gjobë, i janë zbritur 8 pikë nga patenta dhe është bërë ndalim administrativ i mjetit.
Pas daljes së analizave nga IML-ja, ka rezultuar se ky shtetas ishte nën e efektin e alkoolit apo dhe substancave të tjera. Dhe për këtë arsye, Policia njofton se:
"Ne Tirane, ne date 06.12.2021, ora 23:45, u arrestua ne flagrance per veprat penale “Shkelja e rregullave te qarkullimit rrugor”, “Largimi nga vendi i aksidentit”, dhe “Drejtimi i automjeteve ne menyre te parregullt”, parashikuar nga nenet 290, 273, 291, te Kodit Penal, shtetasi: Kudusi Kastrati."