Tirana
clear sky
7.5 ° C
7.5 °
7.5 °
87 %
1kmh
0 %
Mër
23 °
Enj
23 °
Pre
26 °
Sht
24 °
Die
25 °
E mërkurë, 5 Tetor, 2022

Vettingu zbardh vendimin: Gjyqtari Shpëtim Reka cënoi besimin e publikut gjatë ushtrimit të detyrës

spot_img

Lajme të ngjashëm

Gjyqtari i Durrësit Shpëtim Reka, u shkarkua nga detyra më 25 shkurt 2022 pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK konkludoi probleme në burimet e krijimit të pasurive; se është gjendur në kushtet e konfliktit të interesit në gjykimin e disa çështjeve; si dhe nuk ka deklaruar marrjen në huapërdorim të një makine në pronësi të një shtetasi të hetuar për krim të organizuar.

Bazuar në këto konstatime, në vlerësimin tërësor të çështjes KPK çmon se Reka përgjatë ushtrimit të detyrës së tij si gjyqtar ka cënuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë. Procesi i vetingut për gjyqtarin Reka u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Genta Tafa Bungo dhe anëtare Alma Faskaj.

Kryesuesi Hamitaj ka dalë me mendim paralel për kriterin e pastërtisë së figurës, duke vlerësuar se nuk është provuar që Reka të ketë pasur dijeni për procedimin e pronarit të mjetit që ka përdorur për udhëtim jashtë shtetit. Reka e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994 dhe prej më shumë se dy dekadash ka shërbyer si gjyqtar në Gjykatën e Durrësit.

Konflikti i interesit

Hetimi për pasurinë ka evidentuar raste të gjendjes së konfliktit të interesit së gjyqtarit Reka. Për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 146.5 m2 në Durrës në vitin 2004 për çmimin 70 mijë euro, subjekti ka deklaruar si burime krijimi një kredi në shumën 31 mijë euro dhe pjesën tjetër nga pagat dhe dhënia me qira e apartamentit në Tiranë.

Reka rezulton të jetë gjendur në kushtet e konfliktit të interesit në shqyrtimin e një çështje “për lëshim urdhër ekzekutimi”, me kërkues shoqërinë ndërtuese nga e cila ka blerë këtë apartament.

Në korrik të vitit 2011subjekti ka vendosur pranimin e kërkesës së shoqërisë ndërtuese, që ka pasur si objekt gjykimi detyrimin e pronarëve të truallit ku ishte ndërtuar objekti ku gjendet dhe apartamenti i tij, që të përmbushin detyrimin kontraktor të lidhur me shoqërinë për shkëmbimin e truallit kundrejt pasurive të paluajtshme që ishin dakordësuar të përfitonin.

Nga hetimi ka rezultuar se apartamenti i blerë nga subjekti ka qenë i regjistruar pranë ASHK-së me regjistrim të përkohshëm, i vlefshëm deri në përfundimin e regjistrimit fillestar të pasurisë. Në seksionin “barrë mbi pasurinë” të këtij vërtetimi është shënuar që të mos kryheshin veprime pa u realizuar kontrata e këmbimit mes pronarëve të truallit dhe shoqërisë ndërtuese.

“Në kushtet e vendosjes së urdhrit të kufizimit mbi apartamentin e blerë nga subjekti, ky i fundit do ta kishte të pamundur përfundimin e regjistrimit fillestar të pasurisë dhe pajisjen me certifikatë pronësie për këtë apartament, pa u zgjidhur paraprakisht marrëdhënia mes investitorit dhe pronarëve të truallit përmes nënshkrimit të kontratave përfundimtare të shkëmbimit, si dhe pa u lëshuar urdhri i ekzekutimit për vendimin e gjykatës që detyronte pronarët e truallit ku ndodhej edhe apartamenti i subjektit për të lidhur kontratën e shkëmbimit me shoqërinë “I.K” sh.p.k.”, konstaton KPK.

Lëshimi i këtij urdhëri ekzekutimi dhe zgjidhja e marrdhënies mes pronarëve të truallit dhe ndërtuesit vlerësohet si një veprim në mbështetje të interesave pasuror të vetë subjektit të rivlerësimit, me qëllim pajisjen e tij me dokumentacion pronësie për apartamentin e blerë. Ky vlerësim bazohet edhe në faktin që pak muaj pas lëshimit të urdhrit të ekzekutimit subjekti ka mundur të pajiset me certifikatë pronësie për këtë apartament.

Komisionie ka gjetur Rekën në kushtet e konfliktit të interesit edhe në gjykimin e një çështje të një shoqërie ndërtuese ku vjehrra e tij ka blerë një apartament që i’a ka dhuruar të birit. Subjekti ka deklaruar apartamentin me sipërfaqe 51 m2 në Durrës, të regjistruar në emër të djalit, duke sqaruar se i është dhuruar nga nëna e bashkëshortes.

Nëna e bashkëshortes së gjyqtarit rezulton ta ketë blerë këtë pasuri në vitin 2008 kundrejt shumës 3 milion e 450 mijë lekë. Një muaj pasi apartamenti është regjistruar, vjehrra e subjektit ka lëshuar testamentin në favor të djalit të tij. Nisur nga fakti se nëna e bashkëshortes jetonte në Tiranë dhe ishte 76 vjeçe kur e ka blerë apartamentin, Komisioni ka ngritur dyshime lidhur me nevojën e saj për krijimin e kësaj pasurie dhe ka hetuar lidhur me konfliktin e interesit.

Nga hetimi ka rezultuar se subjekti ka gjykuar shtatë çështje ku palë ka qenë dhe shoqëria ndërtuese që i ka shitur vjehrrës këtë apartament. Po ashtu, ka rezultuar se ai ka udhëtuar jashtë shtetit me administratorin e shoqërisë, shtetasin R.K.. “Nga dokumentacioni i administruar rezulton se subjekti i rivlerësimit ka kryer udhëtime jashtë vendit me administratorin e shoqërisë “K” sh.p.k. gjatë kohës që këtë shtetas e ka pasur palë ndërgjyqëse në çështje të ndryshme gjyqësore”, konstaton KPK.

Ndryshe nga subjekti, bashkëshortja e tij në cilësinë e prokurores, ka dhënë dorëhqeje nga hetimi i një çështje në ngarkim të administratorit të shoqërisë, shtetasit R.K..

Gjendja në kushtet e konfliktit të interesit në gjykimin e çështjeve të shoqërive apo personave me të cilët subjekti dhe personat e lidhur kanë pasur interesa pasurorë, janë vlerësuar si probleme dhe në kriterin profesional.

“[…]Trupi gjykues çmon se tërësia e veprimeve të subjektit të rivlerësimit tregojnë një raport të tillë të përkujdesjes së subjektit me zbatimin e ligjit, i cili është i papranueshëm për të pasur besimin e publikut. Rëndësia e sjelljes jashtëgjyqësore të gjyqtarit dhe ndikimi i saj në besimin e publikut te sistemi i drejtësisë është objekt rregullimi i normave të etikës gjyqësore në Shqipëri dhe pjesë e standardeve ndërkombëtare për sjelljen e gjyqtarëve”, vlerëson KPK dhe i konsideron gjetjet të mjaftueshme për të arritur në përfundimin se subjekti gjendet në situatën e konfliktit të interesit.

Megjithëse KPK ka ngritur fillimisht dyshime se apartamenti mund të ishte pasuri e fshehur e subjektit, është bindur nga shjegimet dhe provat e dorëzuara prej këtij të fundit se banesa në Durrës i është dhuruar djalit të tij prej gjyshes.

Komisioni ka gjetur probleme dhe në transaksionet e kryera nga subjekti për blerjen e një automjeti tip Benz në Gjermani. Sipas dokumentacionit të verifikuar ka rezultuar se kjo makinë ka qenë e regjistruar në emër të subjektit, i cili e ka blerë në vitin 1994 në Mynih të Gjermanisë.

Këtë mjet subjekti i’a ka shitur bashkëshortes dy herë – herën e parë në dhjetor të vitit 1999 për 500 mijë lekë dhe në janar të 2000-it për çmimin 2000 DM. Si eksportues i mjetit ka rezultuar subjekti..

Një muaj pas transaksionit të dytë, në shkurt të vitit 2000, bashkëshortja e subjektit ia ka shitur këtij të fundit makinën për shumën 700 mijë lekë. Në dhjetor të vitit 2000 subjekti ka denoncuar pranë Komisariatit të Policisë Durrës humbjen e targës dhe në vijim mjeti është pajisur me targa. Në vitin 2003 Reka e ka shitur këtë makinë për çmimin 200 mijë lekë, shumë që është deklaruar si burim për blerjen e Benz-it tjetër.

Sipas KPK, dokumentacioni i gjetur në dosjen e automjetit nuk është i rregullt dhe se ky fakt konfirmohet edhe nga vetë subjekti.

Pas kalimit të barrës së provës subjekti ka shpjeguar se në atë periudhë nuk ka qenë i orientuar me dokumentacionin e shitblerjes së automjeteve. Ai ka deklaruar se automjeti është blerë në emrin e tij nga një shtetas që e ka autorizuar për të kryer procedurat e zhdoganimit dhe targimit.

KPK vlerëson se veprimet e subjektit në këto transaksione nuk janë në përputhje me etikën dhe sjelljen e duhur për një gjyqtar dhe duhen të jenë pjesë e vlerësimit tërësor.

Nga analiza financiare janë konstatuar edhe mungesa të burimeve të ligjshme për pasuritë në pronësi të tij dhe personave të lidhur si dhe deklarime të pasakta që janë konsideruar në vlerësimin tërësor.

Mendimi ndryshe për figurën 

Reka është vlerësuar pozitivisht për figurën prej Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK. Por hetimi i Komsionit ka zbuluar se ai ka përdorur një automjet në pronësi të një personi të proceduar për krim të organizuar.

Nga verifikimi i sistemit TIMS ka rezultuar se Reka dhe familja e tij kanë udhëtuar në korrik të vitit 2012 drejt Greqisë ku kanë qëndruar rreth një javë, duke përdorur një automjet Mercedes Benz në pronësi të shtetasit Xh.T. . Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas është arrestuar dhe dënuar në vitin 2006 për trafikim të lëndëve narkotike.

Subjekti ka deklaruar se udhëtimi drejt Greqisë është kryer me dy automjete, ku njëri ka qenë ai në pronësi të shtetasit Xh.T, që e ka marrë me qira. Reka ka pretenduar se nuk ka dijeni cili ka qenë apo është pronari i automjetit në fjalë. Ai ka shpjeguar se makina është marrë me qira pasi do të merrnin me vete në udhëtim edhe dy fëmijë të të afërmve, të cilët kanë siguruar makinën dhe kanë kryer pagesën.

Duke qenë se nga hetimi nuk ka rezultuar që subjekti të ketë patur kontakte të vazhdueshme me Xh.T, shumica e trupit gjykues e përbërë nga relatorja Genta Tafa Bungo dhe anëtarja Alma Faskaj e ngarkojnë me përgjegjësi vetëm për mosplotësim të saktë të formularit të deklarimit për kontrillin e figurës, me argumentin se nuk ka deklaruar fakte dhe rrethana të ndodhura para dorëzimit të atij formulari.

Komisioneri Lulzim Hamitaj ka shfaqur mendim paralel lidhur me konstatimet e shumicës për kriterin e figurës. Sipas Hamitajt, ndonëse është provuar dhe pranuar fakti i përdorimit nga ana e subjektit të rivlerësimit të një automjeti në pronësi të një shtetasi me precedent penal, nuk mund të konsiderohet si i provuar fakti se Reka kishte dijeni në momentin e përdorimit të këtij automjeti dhe kur ka plotësuar deklarimin për kontrollin e figurës prej tij.

Por, bazuar në faktin se subjekti ka pasur një marrëdhënie interesi, qoftë dhe indirekte me shtetasin Xh.T., Hamitaj sygjeron që kjo situatë të vlerësohet së bashku me gjetjet e tjera në kuadër të cënimit të besimit të publikut në sistemin e drejtësisë.

Në përfundim KPK ka konkluduar se gjyqtari Reka nuk ka arritur nivel të besueshëm për pasurinë dhe kriterin e figurës, si dhe veprime të papranueshme gjatë ushtrimit të detyrës për të pasur besimin e publikut.

Më shumë


spot_img
spot_img

spot_img