Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra prokurorin e Durrësit, Ferdinand Elezi.
Prokurori nuk ka kaluar kështu vettingun, pasi ka rezultuar me probleme me pasurinë. Elezi është drejtues i Prokurorisë së Apelit në Durrës.
Elezi e ka filluar karrierën në Prokurorinë e Kavajës në vitin 1999, ndërsa gjatë viteve 2003-2005 ka drejtuar Prokurorinë e Rrethit Durrës. Në vitin 2005 ai është emëruar drejtues i Prokurorisë së Apelit të Tiranës, detyrë të cilën e ka kryer deri në vitin 2006.
Përgjatë viteve 2006-2013, Elezi ka kryer detyrën e prokurorit në Prokurorinë e Apelit të Durrësit. Prej vitit 2013 ai mban postin e Drejtuesit të Prokurorisë së Apelit Durrës.
Ferdinand Elezi ishte një ndër kandidaturat e garës për Prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm, e cila u mbyll me zgjedhjen e Arta Markut në dhjetor të vitit 2017.