Brilant Martinaj, 23 vjeçari i cili mbeti i vrarë më 17 korrik në një atentat mafioz në Fushë-Krujë ishte dhe një ndër miqtë më të mirë të Stresit. Pas vdekjes së tij, reperi reagoi i tronditur dhe anuloi koncertet e tij, duke kërkuar mirëkuptimin e fansave.
Sot, reperi ka ndarë një foto në rrjetet ku shfaqet në varrin e të riut në Fushë Krujë. Brilant Martinaj në fakt ishte dhe kushëriri i parë i biznesmenit të shumëkërkuar, Ervis Martinaj, i cili është zhdukur pa gjurmë prej 9 gushtit 2022.
“M’ka marr malli aq shumë sa vetëm ti e di se sa vëllai im i vogël”, shkruan Stresi në foton e publikuar, pranë varrit të të riut Brilant Martinaj.

Brilant Martinaj dhe dy shokët e tij Besmir Hoxha e Diklen Vata, mbetën të vdekur pasditen e 17 korrikut pasi makinës me të cilin ata udhëtonin nga Rinasi në drejtim të Fushë Krujës ju bë pritë dhe u qëllua me breshëri plumbash. Fatkeqësisht, të tre të rinjtë ndërruan jetë në vend.
Shoferi Besmir Hoxha dhe pasagjeri i parë, Brilant Martinaj ndërruan jetë në vend. I treti, Diklen Vata që qëndronte në sediljen e pasme u plagos por mundi të dilte nga “Volkswagen Passati” dhe të bënte disa metra. Autorët e kanë parë dhe i kanë shkuar pas, duke e qëlluar përsëri derisa e lanë të vdekur krah karrexhatës.