Hapësire reklamuese

Social Bomb

“Vetëm një lëvizje gishti i lejoi trupi i tij i sëmurë të lidhej me botën”, reagon fizikantja shqiptare për ndarjen nga jeta të Stephen Hawking

Shkruar nga Newsbomb

Ditën e sotme është ndarë nga jeta fizikanti Stephen Hawking në moshën 76-vjeçare, në Cambridge të Anglisë. Reagimet në rrjet kanë qenë masive për këtë gjeni të fizikës i cili i dha aq shumë shkencës. Sakaq, ka reaguar edhe fizikantja Mimoza Hafizi e cila shkruan se u shua një njeri që udhëhoqi rrugën drejt zgjidhjes së mistereve të natyrës

“Shuhet Stephen Hawking, fizikani më i njohur i gjysëmshekullit të fundit. I kaloi shumë nga vitet e veta në paralizë të plotë. Vetëm një lëvizje gishti i lejoi trupi i vet i sëmurë që të lidhej me botën, me njerëzit e tjerë. Por idetë e tija shkencore sot udhëheqin kërkimet në fushën më të panjohur të fizikës, gravitacionin kuantik, vrimat e zeza, origjinën e Universit. Fusha ende misterioze, po aq misterioze sa dhe mendja nga kanë dalë. Se idetë e tij janë lidhja më e drejtpërdrejtë që një shpirt njeriu mund të ketë me Universin e madh. Pa letrën, lapsin, tabelën, kompjuterin e gishtat që shkruajnë ekuacionet e komplikuara, rruga e domosdoshme e krijimit për çdo fizikan a shkencëtar tjetër.

U shua një njeri që udhëhoqi rrugën drejt zgjidhjes së mistereve të natyrës, por i dha më shumë hije misterit të njeriut dhe rolit të tij në Univers. Njeriut, kësaj mrekullie të natyrës, që shpesh i afrohemi kaq pranë dhe po aq shpesh i largohemi. Sidomos sot, kur një fizikan i shquar iku. Bashkë me misterin e ideve të veta gjigande. U prehtë në paqe”, përmbyll Hafizi.

Hawking vuante nga një formë e rrallë e sklerozës laterale amiotrofike, që njihet ndryshe si sëmundja e neuroneve motorike apo sëmundja e Lou Gehrig, me fillim të hershëm dhe përparim të ngadalshëm dhe që gradualisht e paralizoi atë gjatë dekadave.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu