Zgjedhjet në Tërnoc, Bujanovc do të ripërsëriten. Në këto votime do të vendoset për fatin e Shaip Kamberit, deputetit të vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë.
Ai mundi ta fitonte mandatin, por zgjedhjet atje do të ripërsëriten me vendim të Gjykatës dhe shqiptarët bëjnë thirrje për mobilizim. Politikanët shqiptarë në rajon kërkojnë që qytetarët e Tërnocit të votojnë për Shaip Kamberin.
Zgjedhjet do të mbahen më 27 maj, pas tre ditësh, dhe kreu i PDK në Kosovë Memli Krasniqi thotë se shqiptarët “duhet të mobilizohen dhe mos të lejojnë që Shaipit t’ia marrin mandatin nga duart.”
“Shaip Kamberi është një patriot i guximshëm, që, si deputet, ka punuar pa ndalë për interesat e shqiptarëve në Luginë. Edhe pse ai fitoi mjaftueshëm vota edhe për një mandat të deputetit, Gjykata ka vendosur që zgjedhjet të ripërsëriten në Tërnoc”, vijon Krasniqi.