Hapësire reklamuese

Politikë

Vendimi i Kuvendit për rritjen e pagave, ISP: Pa transparencë dhe konsultim në respekt të zgjedhësve

Shkruar nga Newsbomb

Instituti i Studimeve Politike (ISP), si organizatë që monitoron aktivitetin e deputetëve dhe të Kuvendit, njeh të drejtën e Kuvendit për të rishikuar hierarkinë e sistemit të pagave për institucionet dhe kategori të ndryshme, përfshirë edhe për vetë deputetët.

Sistemi ynë meriton një parlament efikas, të përgjegjshëm dhe të aftë, stafe parlamentare solide dhe profesionale, status të njëjtë me parlamentet e vendeve anëtare të reja në BE, si dhe trajtim të denjë ligjor dhe financiar për aktivitetin e tyre.

Legjislacioni i njeh të drejtën Kuvendit të miratojë buxhetin dhe për pasojë, edhe ndryshimet në sistemin e pagave, por e drejta sjell edhe përgjegjësi e detyrime, midis të cilave, detyrimi që procesi të jetë i hapur, në konsultim publik, strategjik dhe në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës, demokracisë funksionale dhe integritetit institucional.

ISP shpreh shqetësimin e vendimmarrja aktuale e parlamentit për rritjen e ndjeshme të pagës për zyrtarët e zgjedhur dhe të emëruar, përfshirë Presidentin, Kryeministrin, ministrat dhe deputetët, u bë në mënyrë jo transparente, pa një bazë solide justifikimi dhe vlerësimi të emergjencës, pa studim mbi sistemin e hierarkisë së pagave dhe në dyshime të arsyeshme për konflikt të qartë interesi.

Raportet periodike të monitorimit kanë dëshmuar se një pjesë e madhe e deputetëve nuk kanë tregues efikasiteti, nuk ushtrojnë përgjegjësitë ligjore dhe kushtetuese, nuk kanë gjurmë ligjvënëse apo të akteve të tjera parlamentare si dhe nuk e kanë trajtuar pozitën përfaqësuese me integritet dhe llogaridhënie.

Sondazhet tregojnë se besimi tek institucionet politike, përfshirë parlamentin, është në kuota kritike. Deputetët nuk janë produkt i votës direkte, ndryshojnë vazhdimisht zonën nën përgjegjësi politike dhe përkatësinë në partitë politike, gëzojnë privilegje politike ekstra-ligjore, si dhe një pjesë e rëndësishme e tyre ushtrojnë aktivitete dytësore krahas atij parlamentar, ndërkohë që qytetarët paguajnë taksa edhe për fondet vjetore dhe zgjedhore për partitë e tyre politike.

Rënia e pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje është mesazh kritik ndaj sistemit tonë përfaqësues, përfshirë deputetët, ministrat dhe partitë kryesore politike, mesazh që Kuvendi e lexoi në mënyrë të kundert dhe të gabuar. Dinjiteti dhe integriteti parlamentar nuk maten me sasinë e të ardhurave personale, por mbi të gjitha me ushtrimin me integritet dhe dinjitet të funksionit kushtetues, me kontributin për vendin e qytetarët dhe me mënyrën e ushtrimit të sovranitetit dhe të privilegjit për të përfaqësuar. Për më tepër, kjo ishte një masë që nuk bën pjesë në premtimet elektorale apo programin elektoral të partive & deputetëve.

Kuvendi nuk ka një sistem matës të aktivitetit parlamentar, grupet parlamentare e deputetët nuk kanë mekanizëm vetëvlerësimi dhe institucioni nuk ka studime apo raporte auditimi që nxjerrin në pah nevojat për emergjenca të tilla apo që bëjnë lidhje midis rritjes së privilegjuar të pagës me pritshmërinë për më shumë cilësi e standarde parlamentare në të ardhmen.

Në këto rrethana ISP vlerëson se parlamenti do të duhej të kishte marrë masa serioze reformimi në organizimin e tij të brendshëm, në legjislacionin rregullator të aktivitetit parlamentar, në aktet kundër konfliktit të interesit dhe abuzimit me postin, deri edhe në diskutimin publik të opsionit të shkurtimit të numrit të deputetëve në legjislaturën e ardhshme dhe të reformimit të sistemit përfaqësues. Pa këtë qasje institucionale dhe strategjike, çdo vendimmarrje e tillë krijon dyshime serioze mbi cilësinë e parlamentit dhe aftësinë e tij për të dëshmuar integritet, transparencë dhe llogaridhënie.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese