Në gjysmën e parë të vitit 2024 në të 27 vendet anëtare të BE pritet të zhvillohen zgjedhjet për Parlamentin e ri Europian. Rritja e shifrave të migrantëve ilegalë dhe refugjatëve si edhe procedurat e azilit, sipas sondazheve do të jenë temat kryesore të fushatës zgjedhore.
DW në njëartikull të përmbledhur tregon se si treja vendet kryesore të destinacionit të migrantëve në BE, Gjermani,Francë dhe Itali u ashpërsuan ligjet kombëtare për të ulur numrin e migrantëve ilegalë dhe për të lehtësuar dëbimet.
Gjermania
Nga Zyra Federale e Migracionit dhe Refugjatëve, BAMF, bëhet e ditur se gjatë vitit 2023, 350.000 nga më shumë se 1 milionë azilkërkues në BE e shtrojnë kërkesën për azil në Gjermani. Krahas azilkërkuesve nga Siria, Afrganistani dhe Turqia në Gjermani janë strehuar më shumë se 1 milionë refugjatë nga Ukraina. Qeveria e koalicionit të socialdemokratëve, Të Gjelbërve dhe liberalëve ka reaguar me ashpërsimin e disa ligjeve. Kështu "ligji i shanseve për qëndrim" do të lehtësojë futjen në punë të migrantëve dhe integrimin në shoqëri, nëse ata jetojnë të paktën 5 vjet në vend. Kurse "ligji për përmirësimin e dëbimit" do të lehtësojë kthimin e azilkërkuesve të refuzuar në vendet origjinë, që me ligjin e ri mund të qëndrojnë më gjatë në paraburgimin e dëbimit, po ashtu apartamentet e tyre mund të kontrollohen më lehtë dhe dëbimet mund të bëhen pa afate të gjata paralajmërimi. Një tjetër ligj modernizon të drejtën e nënshtetësisë. Gjermania lejoi në vitin 2023 nënshtetësinë e dyfishtë. Koha e pritjes reduktohet nga tetë në pesë vjet. Por në rast antisemitizmi dhe racizmi të aplikuesit mund të refuzohet e drejta e nënshtetësisë.
Franca
Asambleja Kombëtare Franceze pak para fundit të vitit miratoi një ligj të ri migracioni me votat e partisë populiste të djathtë, "Rassemblement national". Kryetarja e partisë, Marine Le Pen bëri fjalë për fitore ideologjike për politikën e saj "Franca e para". Presidenti liberal, Emmanuel Macron nuk ishte i varur drejtpërdrejt në parlament nga Rassemblement national" por nga votat e republikanëve konservatorë që votuan për ashpërsimin e rregulloreve.
Macron do të lejojë verifikimin e ligjit në Këshillin Kushtetues. Me ligjin e ri migrantët ilegalë mund të dëbohen më lehtë, qasja tek ndihmat sociale vështirësohet dhe bashkimi familjar kufizohet. Studentët e huaj duhet të ofrojnë si kusht një depozitë financiare para ardhjes në Francë. 70% e francezëve mbështesin ashpërsimin e ligjeve të migracionit.
Italia
Koalicioni populist i djathtë nën kryeministren, Giorgia Meloni fitoi zgjedhjet në vitin 2022 në Itali me premtimin, se do të reduktojë numrin e migrantëve që hyjnë në. Meloni duhet të paraqesë tani rezultate. Psh, ajo arriti të negociojë një marrëveshje kthimi me Tunizinë, po në fund ajo nuk u zbatua. Kryeministrja italiane negocioi edhe me Shqipërinë një marrëveshje, që parashikon zhvendosjen e dy qendrave të pranimit me një kapacitet prej mbi 3000 persona nga Shqipëria në Itali. Aktualisht drejtësia shqiptare është duke verifikuar nëse kjo marrëveshje me Italinë është konform ligjeve.
Nga ana tjetër Meloni ka bërë të ditur, se kampet e dëbimit do të vendosen në zonat më pak të populluara të Italisë. Aty migrantët do të qëndrojnë 18 muaj në vend të 12 muajve si deri më tani, ndërkohë që autoritetet vendosin për dëbimin. Organizata përmbledhëse e organizatave të refugjatëve në Europë, European Council on Refugees and Exiles"(ECRE) kritikoi në një raport të saj Italinë për vështirësim të procedurave të rregullta të azilit. Aplikuesit duhet të presin me muaj për një orar. Por shumë migrantë nga Italia vazhdojnë drejt veriut, sidomos në Austri dhe Gjermani për të aplikur aty për azil, në një kohë që sipas rregullave të Dublinit, Italia duhet të ishte përgjegjëse për pranimin e tyre. Roma refuzon rimarrjen e migrantëve që Gjermania, sipas rregullores duhet t'i kthejë në vendin ku hynë në BE për herë të parë.
Greqia, Hungaria, Austria dhe Holanda
Në Greqi kthimi drejtpërdrejt i migrantëve në kufi apo kthimi i motobarkave në ujërat territoriale turke (pushbacks) është më shumë rregull se përjashtim. Këtë e kritikon organizata ECRE në raportin e saj të fundvitit në Bruksel. Qasja tek procedurat e azilit është shumë e vështirë, sepse migrantët në kohën e pritjes për aplikim nuk kanë të drejtë për ndihma sociale. Për disa orare aplikimi në Greqi kërkohen 100 euro tarifë nga migrantët, një procedurë që nuk gjendet në vend tjetër të BE.
Hungaria është i vetmi vend në BE ku që nga viti 2016 sundon e drejta e jashtëzakonshme në kufi. Hyrja në Hungari e azilkërkuesve është gati e pamundur. Procedurat e azilit duhet të aplikohen në ambasadat në Beograd apo Kiev. Organizata qendrore e organizatave të refugjatëve në BE, ECRE është e mendimit se në kufirin hungarez të ruajtur ashpërsisht janë dëbuar deri në 150.000 vetë në Serbi. Megjithëse Gjytata Europiane në Luksemburg dhe Gjykata për të Drejtat e Njeriut në Straburg e kanë shpallur këtë praktikë si të palejueshme, Budapesti zyrtar i injoron këto vendime.
Në Holandë qeveria liberale e djathtë madje u rrëzua për shkak të temës së ashpërsimit të ligjeve të migracionit. Kryeministri, Mark Rutte dha dorëheqjen, sepse nuk pati sukses me miratimin e ligjit për kufizimin e bashkimit familjar për azilkërkuesit e refuzuar.
Në Austri, Ministria e Punëve të Brendshme ka vendosur një detyrim për punë për azilkërkuesit në kohën e procedurës së azilit. Nëse ata refuzojnë punën që kërkohen në komunitet, do t'u hiqet mundësia për banim apo kujdesin social.
Bashkimi Europian
Deri në prill 2024, Parlamenti Europian dhe Këshilli Ministror i BE, përfaqësia e 27 vendeve anëtare duhet të vendosin për paktin e ri të migracionit. Reformimi i zgjeruar i procedurës së azilit në BE sjell disa ndryshime: Procedura të shpejta azili në kufi për 30.000 vetë me pak shanse për njohjen e azilit si edhe dëbime më të shpejta në qendra dëbimi. Për herë të parë parashikohet edhe detyrimi për solidaritet brenda BE. Në rast mbingarkese të vendeve, ku migrantët ilegalë hyjnë për herë të parë, si Italia, Greqia, Qipro, Spanja, Malta e Kroacia atëherë refugjatët e migrantët ilegalë do të shpërndahen me një sistem kuotash në pjesën tjetër të BE. Zbatimi i plotë i reformës me 8 ligje kryesore pritet të zgjasë deri në vitin 2026. Megjithatë BE kërkon të fitojë pikë me reformën e azilit në fushatën zgjedhore për zgjedhjet e Parlamentit Europian, është shprehur presidentja e tij, kristiandemokratja, Roberta Metsola nga Malta.