Lituania është bashkuar me fqinjët e saj baltik, Estoninë dhe Letoninë, në mbylljen e hapësirës së saj ajrore për avionët rusë. Më herët të shtunën Estonia njoftoi se do të ndalojë fluturimet që kalojnë ose zbarkojnë në vend, duke iu bashkuar Letonisë, e cila tashmë kishte kufizime.
Rusia u përgjigj në të njëjtën mënyrë, duke futur ndalime të ngjashme për fluturimet nga këto vende. Polonia, Britania e Madhe, Republika Çeke dhe Bullgaria gjithashtu kanë mbyllur hapësirën e tyre ajrore, shkruajnë mediat ndërkombëtare.
Duke shkruar në Twitter, kryeministrja estoneze Kaja Kallas u bëri thirrje të gjitha vendeve të tjera të BE-së që të ndjekin shembullin. “Nuk ka vend për aeroplanët e shtetit agresor në qiejt demokratikë”, tha ajo.
Nga ana tjetër, forcat britanike kanë mbërritur në Evropën Lindore për të forcuar krahun lindor të NATO-s. Anijet e Marinës Mbretërore, trupat e Ushtrisë Britanike dhe luftëtarët e Forcave Ajrore Mbretërore janë dislokuara në kufijtë e vendeve pjesë e Aleancës.
Luftanija HMS Trent është në Mesdheun lindor, sipas Ministrisë së Mbrojtjes (MM), me helikopterë dhe avionë patrullimi. HMS Diamond, një shkatërrues, do të bashkohet nga Portsmouth.
Tanke dhe njësi të blinduara nga Mbretëria e Uellsit kanë mbërritur në Estoni nga Gjermania, me 1000 trupa që do të mbërrijnë në ditët në vazhdim, transmeton newsbomb.al. Kjo do të thotë se prania britanike do të dyfishohet.