Hapësire reklamuese

Aktualitet

Vëllai i Ibrahim Licit: Nuk u arrestua, u vetëdorëzua për të kërkuar azil në Turqi

Shkruar nga Newsbomb
Vëllai i Ibrahim Licit: Nuk u arrestua, u vetëdorëzua për

Vëllai i Ibrahim Licit, Hamza Lici thotë se 31-vjeçari nuk është arrestuar nga policia në Turqi, por është vetëdorëzuar dhe se ka kërkuar azil në shtetin turk për shkak se nuk ndihet  i sigurt në Shqipëri.

Policia e shtetit tha sot në një njoftim zyrtar se i shumëkërkuari i akuzuar për vrasjen e Endri Mustafës, Ibrahim Lici u arrestua në Turqi, falë bashkëpunimit të ngushtë të Policisë së Shtetit me autoritetet policore turke.

“Policia e Shkodrës, si rezultat i punës së pandërprerë për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, siguruan informacione se Lici fshihej në Turqi. Më tej, struktura të specializuara të Departamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare (Interpol Tirana) e kanë shkëmbyer menjëherë këtë informacion dhe kanë bashkëpunuar ngushtë me autoritetet policore të Turqisë, për kapjen e këtij shtetasi. Policia e Turqisë ka vënë në pranga Licin me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë”, njoftoi policia sot.

Lexo edhe: Arrestimi i Ibrahim Licit në Turqi, Policia e Shtetit informacion zyrtar

Por vëllai i tij Hamza Lici pretendon të kundërtën. Ai insiston se Ibrahimi u vetëdorëzua për të kërkuar azil në Turqi, pasi në Shqipëri i rrezikohet jeta.

“Vëllai im nuk është arrestuar siç deklaroi me bujë policia e shtetit në Shqipëri por është vetëdorëzuar tek autoritetet turke me qëllim për të kërkuar azil pasi nuk ka besim tek shteti dhe qeveria shqiptare. Shteti në Shqipëri është vërtetuar se bashkëpunon me bandat kriminale ndaj Ibrahimi ka vendosur që të vetëdorëzohet në Turqi. Në Shqipëri vëllait tim i rrezikohet jeta dhe në këtë mënyrë ka vendosur që të vetëdorëzohet. Nuk është e vërtetë se është arrestuar por si gjithmonë policia kërkon që t’i bëjë të bujshme edhe pse nuk ka asgjë të vërtetë. Vëllai im është i pafajshëm pasi nuk ka kryer asnjë vrasje dhe kjo është e vërtetuar por drejtësia shqiptare nuk do që t’i marrë parasysh. Ibrahimi do të ndjekë procedurat e azilkërkuesit në Turqi dhe nuk mund të ekstradohet pasi në Shqipëri jeta e tij është në rrezik nga bashkëpunimi i shtetit me bandat kriminale”, deklaroi Hamza Lici nga Turqia.

Lici akuzohet për veprat penale “Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit”.

Prej muajit Maj 2021, Lici rezulton të jetë shpallur në kërkim nga policia, si i autor i dyshuar i vrasjes së Mustafës, ngjarje kjo e ndodhur në zonën “Livadhe” në Shkodër.

Akuzat ndaj tij u ngritën pas dëshmisë së 15 vjeçarit, Ergys Malja. Fillimisht Malja, ka treguar se ishte ai që kishte nxjerrë nga shtëpia Endri Mustafën dhe së bashku ishin drejtuar në zonën e quajtur “Gropat e Eskavatorit”. Sipas 15-vjeçarit, papritur i ka dalë në rrugë, Ibrahim Lici me një motor, i cili e ka qëlluar me pistoletë, Endri Mustafën, duke e lënë të vdekur në vend. Ndërsa vetë i mituri Ergys Malja, ka treguar se është larguar me vrap duke mundur të shpëtojë.

Vetëm një javë pas krimit të rëndë, policia arrestoi Ergys Maljan si bashkëpunëtor në këtë vrasje. Fillimisht Malja, u dënua me 24 vite burgim nga gjykata e Shkodrës, por për shkak të moshës së mitur, dënimi i tij u reduktuar, duke u dënuar përfundimisht me 12 vjet heqje lirie.

Lici nga arratia ka mohuar të gjitha akuzat, madje ai ka pretenduar e ditën e ngjarjes ka qenë në Tiranë në shoqërinë e shokëve dhe një vajze. Ibrahim Lici ka qenë një nga 5 personat më të kërkuar nga policia në Shqipëri.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese