Vetëm një muaj na ndan nga përfundimi i veprës më të madhe arkitekturore arsimore ngritur në kryeqytet, pas tërmetit 2019. Shkolla “Sami Frashëri” në Tiranë, një prej projekteve më moderne të Programit të Rindërtimit, u inspektua sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me ministren e Kulturës, Elva Margariti dhe ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Kreu i Bashkisë së Tiranës u shpreh i lumtur që gjimnazi “Sami Frashëri” do të presë këtë vit shkollor 1500 nxënës në hapësira të dyfishuara, të cilat i japin fund mësimit me dy turne.
“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme që jam këtu me dy ministre, por mbi të gjitha me dy “samiste”. Unë besoj se një nga privilegjet e kësaj pune është që ke mundësi t’iu kthehesh stacioneve të jetës tënde, çerdhes, kopshtit, fillores, 9-vjeçares dhe për ne të tre t’i kthehemi gjimnazit tonë. Sot jemi emocionalisht më të përfshirë sesa me çdo projekt tjetër, sepse kemi kaluar fëmijërinë, adoleshencën tonë, ketu. Nuk do thosha në këto mure, se muret, fasada është e re, klasat janë të reja dhe kemi dyfishin e klasave - kaluam në 45 klasa, 10 laboratorë. Më në fund, ajo që ka qenë problematika më e madhe e “Samiut” edhe në kohën tonë, shkollën me dy turne, e zgjidhëm; turnin e dytë do e përdorim vetëm për komunitetin, për sporte, kurse, kodim e aktivitete të tjera,” u shpreh ai.
Veliaj nuk la pa përmendur edhe cilësinë e materialeve dhe punimeve të kryera.
“Është e gjitha si “jashtë shtetit”, jo vetëm në dukje, por edhe në cilësinë e materialeve nga kompanitë më të mira që janë sot në treg, ku kemi përdorur një lëndë të parë, duke filluar nga fasada, tek xhami, duralumini, kondicionimi, ventilimi apo edhe tek pemët e rritura që, si në sheshin “Skënderbej”, miksojnë gjithë këtë inovacion që kemi sjellë në rrugën e “Barrikadave”. Mezi pres që në mars të kemi mbaruar me atë që quhet binaja, pastaj të fillojmë me mobilimin dhe të shfrytëzojmë të gjithë verën, jo vetëm për rekrutimet e reja, por sigurisht edhe për të promovuar shkollën, jo vetëm si ndërtesa më e bukur shkollore sot, por edhe si një epiqendër që i ka dhënë Tiranës, por edhe gjithë Shqipërisë, pafund talente,” deklaroi Veliaj.
Duke iu rikthyer akuzave të politikës në kohën kur “Sami Frashëri” u shemb për t’u rindërtuar nga e para, Veliaj ironizoi kur tha se shkolla sot nuk është në Paskuqan.
“Shkolla nuk është në Paskuqan, shkolla nuk u shkëmbye me një pallat, shkolla nuk pati spekullime. Sigurisht, janë inxhinierët ata që japin vlerësim nëse shkolla e vjetër mbante apo s’mbante më pas tërmetit, dhe kur flasin inxhinierët e profesionistët ne të tjerët kemi detyrë që ta zbatojmë dhe të sigurohemi që e reja është më e madhe, më e fortë, më e bukur. Sot si “samistë” kemi vetëm një thirrje: Le ta lëmë politikën si një konfrontim sa herë që ka zgjedhje dhe është mëse normale që ne ta kemi, por jo përditë, jo për çdo punë, jo për çdo vepër, se është viti 2022, ku Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë”.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, u shpreh se shkolla e re “Sami Frashëri” është një vlerë e shtuar e Tiranës. “Samiu” i ka dhënë emër Tiranës dhe gjithë Shqipërisë për të gjithë emrat që ka nxjerrë. Tani, patjetër që duhet të përfaqësojë edhe me arkitekturë. Si arkitekte, jam super krenare që Tirana ime tashmë e ka edhe një vlerë tjetër të shtuar. Shumë krenari që arrijmë që t’u japim brezave të tjerë një hapësirë të tillë”, u shpreh Margariti.
Një nga nxënëset e “Sami Frashërit” ka qenë edhe Ogerta Manastirliu, aktualisht deputete e Njësisë 9 dhe njëherësh Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. “Për mua, kjo nuk është thjesht një vepër. Kjo është një kryevepër që bëhet realitet për të gjithë fëmijët tanë, për të rinjtë e Tiranës që tashmë do studiojnë në kushte fantastike, në shkollën më të bukur, më të mirë të ringritur nga pasojat e tërmetit nëntorit 2019”, nënvizoi Manastirliu.