Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Veliaj krah Ajolës uron Krishtlindjet: Pas tërmetit, Tirana u ngrit shpejt në këmbë

Shkruar nga Newsbomb

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj uroi sot të gjithë besimtarët e krishterë dhe ortodoksë me rastin e Krishtlindjes.

I shoqëruar nga bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, Veliaj mori pjesë në pritjen e Kishës Ortodokse, ku i përcolli urimet Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastas Janullatos, dhe përmes medias, gjithë besimtarëve të tjerë që festojnë sot. Më herët, ai vizitoi edhe selinë e Vëllazërisë Ungjillore në kryeqytet.

Veliaj tha se Tirana po e mbyll 100-vjetorin e saj të parë si kryeqytet me një nga sfidat më të mëdha si tërmeti, por tregoi se diti të ngrihej në këmbë shpejt. “Jam sot plot me mirënjohje për të gjithë ata shqiptarë që u solidarizuan në një moment shumë të vështirë. Tirana mbush 100 vjeç vitin tjetër, e mbyllëm shekullin e parë si kryeqytet, ndoshta, me sfidën më të madhe që të paktën gjenerata ime dhe e Ajolës mban mend, që ishte tërmeti i këtij fundviti. Por, fakti se qytetet bien nuk është gjë e re. E re është sesa shpejt ngrihen dhe Tirana u ngrit në këmbë shumë shpejt, jo vetëm për të sistemuar në shtëpitë me qira apo institucionet tona të emergjencës ata që ishin në nevojë, por edhe për të hapur dyert për ata nga Thumana e Durrësi, që me porosinë e kryeministrit dhe ardhjen në Tiranë, do ta quajnë Tiranën gjithashtu shtëpinë e tyre të re”, tha Veliaj.

Teksa shprehu mirënjohjen edhe për institucionet fetare për kontributin në përballimin e kësaj situate, Veliaj nënvizoi se viti 2020 do të jetë një vit i mrekullueshëm për Tiranën. “Viti 2020 është një vit i mrekullueshëm për Tiranën, mbushim 100 vjeç dhe besoj se do të na gjejë me energji të reja, solidarë, të bashkuar dhe plot me dashuri. Gjithë të mirat për ju dhe për familjet tuaja”, nënvizoi Veliaj.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që në këto ditë festive të ndihmojnë ata që gjenden në vështirësi. “Në një ditë kur të gjithë flasin për lutje dhe lëvdime, kemi kuptuar që më shumë se lutjet na duhet ndihmë konkrete. Sot do të shërbejmë drekën e Krishtlindjes në disa prej qendrave sociale të Tiranës. Dua t’u bëj thirrje qytetarëve që nëse kanë mundësi, nuk ka nevojë të vijnë në një qendër sociale, mund të ndihmojnë një komshi në nevojë, një të afërm, dhe nëse secili prej nesh do bënte këtë mision, atëherë do ishim edhe përpara Perëndisë shërbëtorë të denjë të misionit të Krishtlindjes”, deklaroi Veliaj.

Screenshot_4.jpg

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll