Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi i është përgjigjur kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili me herët u shpreh se kanë qenë ish-ministrat dhe ish zyrtarët e LSI-së ata të cilët kanë menaxhuar gjithë procesin për inceneratorët.
Në një postim në Facebook, Kryemadhi thotë se garanti i pagesës për inceneratorët është pikërisht Veliaj me firmën e tij, duke shtuar se duhet t’i dalë për zot firmës dhe të bëjë transparencë.
Postimi i plotë i Kryemadhit:
Një votë për Erion Veliajn e inceneratorëve është votë dëm për një njeri që e pret qelia. Ngaqë e pret qelia, ndaj dhe është strukur në zyrë dhe lëshon vrer televiziv me regji të komanduar ndaj atyre që bëjnë transparencë për abuzimet e tij. E ftoj kryemashtruesin e bashkisë të shkojmë bashkë në Sharrë e t’i tregoj nga afër çfarë shërbimi mizerabël paguan Ai me 29 Euro/Ton i cili dhe krenohet . Garanti i pagesës është Erion Veliaj, me firmën e tij, fatin e koncesionit gjatë procedurës koncesionare e ka ndryshuar i vetëm Ai! Epo, ne transparencën kemi në dorë bazuar në dokumente me firmë dhe vulë. T’i dalë për zot firmës punëmadhi i Tiranës, të mos flasë nga zyra e bunkerizuar por të bëjë transparencë.
Më herët gjatë ditës së sotme, kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj u shpreh në një intervistë në “News 24” se Tirana sot është shumë herë më e pastër se në kohën kur Bashkia drejtohej nga koalicioni Meta-Berisha.
Teksa ka folur për inceneratorët, ai ka thënë se kanë qenë pikërisht ish-ministrat dhe ish zyrtarët e LSI-së ata të cilët kanë menaxhuar gjithë këtë proces.
“Në të gjitha sondazhet janë nën 2%, në zhdukje, dhe sigurisht siç ndodh tipikisht në raste të tilla, sa më i vogël bëhesh, aq më i dhunshëm dhe vulgar bëhesh. Kështu që, unë ia qaj vërtet hallin. Thonë të njëjtat gjëra thjesht me një logo tjetër.
Si ka mundësi që deri në vitin 2019, LSI-ja dhe zonja në fjalë, bashkë me të shoqin president, nuk kishin asnjë problem me incineratorin? Sepse ishin zyrtarët e partisë së tyre që e menaxhonin këtë punë dhe kishin atë sektor. Do me thënë, vetëm pasi prishen me njëri – tjetrin këta janë gati që të djegin gjithë Shqipërinë. Do të thotë që zonjës Kryemadhi, zotit Meta, Saliut, Lulit etj, iu shijonte kontrata që kishin më përpara”, tha Veliaj.