Ka ndërruar jetë në moshën 35-vjeçare pas betejës me një sëmundje të rëndë në Vienë shkencëtarja shqiptare Vlorë Mehmeti- Tërshani.
Lajmin e ka dhënë stomatologu Xheladin Ujkani, drejtori i Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS”, përfaqësuese e së cilës organizatë për Austri ishte edhe e vetë e ndjera.
Shkencëtarja Vlora Mehmeti- Tërshani, ka lindur në 20.03.1982 në fshatin Beçiq të Drenicës, komuna e Vushtrisë.
Në vitin 1988, pas rrethanave të reja të krijuara në Drenicë, pjesën e mbetur të gjimnazit që kishte filluar në Vushtrri, Vlora e vazhdoi në gjimnazin “Schoppenhauerstrasse, BRG 18” të Vjenës, ku në tërë historinë e gjimnazit është e para dhe e vetmja nga nxënësit emigrantë, e cila nuk e përsërit klasën sipas rregullores për përvetësimin e gjuhës. Për këtë rast, i cilësuar si rast i veçantë, kujdestarja e klasës e informon Ministrin e Mësimit të Austrisë. Me nota të larta dhe afat rekord, ajo kreu gjimnazin.
Sukseset e Vlorës në fushën e shkencës nuk kishin të ndalur. Ajo me lehtësi regjistroi Fakultetin e Farmacisë në Universitetin Shtetëror të Vjenës, Magjistraturën në Tokushima (Tokushima Bunri Unviersity, Japoni), tek Profesori i njohur Asakaëa Yoshinori, në gjuhën angleze, duke u vlerësuar me notë të lartë dhe mbrojtur temën me vlerësim maksimal.
Studimet e doktoratës i ka përfunduar në shtator të vitit 2016 në drejtimin e Mikrobiologjisë në Universitetin e Vjenës dhe Austrisë në përgjithësi, shkruan express.
Vlora nga përfundimi i studimeve në Vjenë, punonte në Universitetin më të vjetër në hapësirën gjermanofolës edhe njërin ndër universitetet më të mëdhenj në Evropën qendrore, Universitetin e Vjenës. Ajo ishte e angazhuar si punëtore shkencore në Departamentin për Ekogjenomikë dhe Systembiologji (Department of Ecogenomics and Systems Biology), në sektorin laboratorik të njohur për hulumtime shkencore, njërin nga më të njohurit në sferën e biologjise molekulare në botë.
Me punët e saja hulumtuese, shkencëtarja shqiptare e ka prezantuar Universitetin e Vjenës në shumë kongrese botërore të hulumtuesve nga lëmi i farmacisë, biologjisë molekulare dhe kudo që u shfaq, mori vlerësime të larta për rezultatet hulumtuese.
Këto hulumtime u botuan në revistat shkencore më prestigjioze të qendrave shkencore botërore.
Vlora ka qenë edhe bashkëpunëtore profesionale dhe përfaqësuese e Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS” në Austri.