Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, ndodhet sot në Kosovëku do të zhvillojë një vizitë zyrtare.
Fillimisht Varhelyi do të takohet me presidenten Vjosa Osmani në orën 09:00 dhe pas përfundimit të takimit do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Me pas ai do të takojë kryeministrin Albin Kurti në orën 10:05, ndërsa një orë më vonë do të pritet nga kryeparlamentari Glauk Konjufca.
Varhelyi do të takohet edhe me opozitën dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.
“Këto takime do të jenë një mundësi për të rishikuar marrëdhëniet BE-Kosovë, si dhe për të diskutuar zhvillimet e fundit e reformat kyçe, duke përfshirë fushën e reformës në drejtësi, tranzicionit të energjisë dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhet në njoftimin e Komisionit Europian.
Gjatë kësaj vizite, Varhelyi do të marrë pjesë në lancimin e Programit për Çështje të Brendshme BE-Kosovë, për forcimin e ligjit dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Ky program i financuar nga BE-ja prej 6.5 milionë euro do të zbatohet në një periudhë trevjeçare me mbështetjen e Francës, Italisë dhe Belgjikës dhe do të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës në luftimin e krimit të organizuar dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar”, thuhet më tej në njoftim.