
Avokatët mbrojtës të ish-kryebashkiakut socialist të Durrësit kanë depozituar kërkesë në Gjykatën e Posaçme të Apelit. Ata kërkojnë që klienti i tyre, Vangjush Dako të dalë nga burgu dhe të përfitojë nga një masë më e butë sigurie.
Vendimi i Gjykatë së Shkallës së Parë nuk është zbardhur ende, por avokatët e Dakos kanë bërë kërkesë të paarsyetuar në Apel, për të mos tejkaluar afati i apelimit të vendimit.
Në momentin që do të kenë dhe vendimin e zbardhur, me arsyetimet e Gjykatës së Posaçme për lënien në burg të Vangjush Dakos, avokatët do të parashtrojnë mbrojtjen e tyre duke kërkuar që politikani i njohur socialist të përfitojë një masë më të butë sigurie.
Prokuroria e Posaçme ka zbardhur më herët akuzat në ngarkim të Vangjush Dakos dhe vartësve të tij, të cilët janë arrestuar prej mbrëmjes së 6 Qershorit 2023. Dako akuzohet se bashkë me drejtuesin e Urbanistikës në Bashki dhe topografët, kanë zbardhur një leje 4 vite pasi pallati ishte ndërtuar.
Objekt hetimi, në kuadër të këtij procedimi, kanë qenë dy fakte penale, dhe më konkretisht procedura e dhënies së lejes së ndërtimit të një pallati shumëkatësh dhe plotësimi i dokumentacionit të tij deri në regjistrimin e pasurisë.
Si dhe procedura e prokurimit Shërbim Konsulence për sigurimin e projektit “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila” me fond limit 21.000.000 lekë me T.V.SH.
Masat e sigurisë të dhëna nga Gjykata e Posaçme, Shkalla e Parë:
- Vangjush Dako - Masë sigurie: Arrest me burg
- Adnand Toçila – Masë sigurie: Arrest me burg
- Fiqiri Farruku – Masë sigurie: Arrest me burg
- Meri Semini – Masë sigurie: Arrest në shtëpi
- Firzilet Hajdëri – Masë sigurie: Arrest në shtëpi
- Adrian Bulku – Masë sigurie: Arrest në shtëpi
- Diana Dedja – Masë sigure: Detyrim paraqitje
- Adhurim Qehajaj – Masë sigurie: Arrest me burg, në mungesë
- Ermal Lama – Masë sigurie: Arrest me burg, në mungesë
- Fatmir Ejupi – Masë sigurie: Arrest me burg, në mungesë