Tirana
broken clouds
15 ° C
15 °
15 °
67 %
0.5kmh
75 %
Hën
15 °
Mar
14 °
Mër
11 °
Enj
14 °
Pre
17 °
E hënë, 12 Prill, 2021
spot_img

Valentina LESKAJ: Si më ftoi Fatos Nano në 2002 për të qenë pjesë e Kabinetit, isha nisur në Paris për një konferencë (DEBATET me MIQTE E FAMILJEN)

spot_img
spot_img

Lajme të ngjashëm

Valentina Leskaj ka gati tre vjet që e ka lënë politikën, por hyrjen e saj në politikë, dhe në PS, e risjell përmes një dialogu të gjatë me Alda Bardhylin, prezantuar tashmë në një libër “Politika si Ide”.

Valentina Leskaj kujton se ishte duke shkuar në një konferencë në Paris, si e thirrur nga shoqeria civile kur një telefonatë e ish-kryeministrit të kohës Fatos Nano, e detyron të kthehet në Shqipëri, dhe të pranojë detyrën që iu propozua si Ministre e Punës dhe Çështjeve Sociale.

Vali, kujton në libër, se menjëherë u konsultua me bashkëshortin Astritin, dhe me dy djemtë, Arianin e Besnikun. Por nuk mbetën pas dhe mikeshat e saj, Kozara Kati, Diana Culi e Valdede Sala…

Pyetje: Me sa di unë, në korrik të vitit 2002 ju sapo kishit mbërritur në Paris për një konferencë, kur merrni një telefonatë nga kryeministri i asaj kohe, Fatos Nano. Një telefonatë që do të ndryshonte karrierën tuaj. Çfarë biseduat me kryeministrin Nano?

Leskaj: Ishte fundi i korrikut të 2002-it, kur u nisa për të marrë pjesë në një konferencë në Paris dhe prej andej do të shkoja në një konferencë tjetër në Bruksel. Isha me bashkëshortin tim, Astritin, i cili nuk vinte asnjëherë në këto udhëtime, që në fakt ishin udhëtime pune. Po ky ishte një rast pak specifik, ai do të qëndronte në Paris për të takuar djalin tonë Besnikun, i cili studionte atje me një program të Bashkimit Europian, Erasmus. Po udhëtonim nga Zyrihu dhe kur mbërritëm në aeroportin e Zyrihut, ndërkohë që po i afroheshim portës dalëse për të marrë avionin, u kujtova që duhet të njoftoja tim bir, që do të na priste, në aeroportin e Parisit, për orën e mbërritjes, por telefonin e kisha lënë të mbyllur qysh në Tiranë. Sa e hapa telefonin shoh që kisha thirrje të humbura, nga Fatos Nano dhe nga Kozara Kati, e cila më kishte bërë edhe një mesazh ku më shkruante: “Të lutem më merr sapo të hapësh telefonin”. E mora menjëherë Kozarën pasi mesazhi i saj tregonte që duhet të ishte  diçka e rëndësishme. Sapo e hapi  telefonin më pyeti se ku ndodhesha dhe iu përgjigja që jam rrugës për në Paris.

Më tha: “Po të kërkon Fatos Nano që nuk po lidhet dot me ty në telefon dhe më mori mua”. Në fakt unë nuk është se kisha ndonjë komunikim me Nanon, edhe pse njiheshim që nga Fakulteti i Ekonomisë, kur ishim studentë në të njëjtin grup, më pas të dy jepnim mësim si pedagogë të jashtëm në fakultetin e Ekonomisë, po pastaj rrugët tona ishin ndarë, ai ishte në politikë dhe unë në shoqërinë civile. Gjithsesi dy vitet e fundit ishim takuar disa herë në disa aktivitete në kuadër të Paktit të Stabilitetit për Europën Juglindore, ku Nano ishte mjaft aktiv dhe udhëhiqte Komisionin Parlamentar Shqiptar për Paktin e Stabilitetit, dhe që në fakt atë kohë pati një qasje përfshirëse dhe bashkëpunim të mirë me shoqërinë civile. Ishte viti 2000, periudha kur Fatos Nano nuk ishte kryeministër, por deputet. Pak si me ironi I thashë Kozarës, ka ndodhur ndonjë histori tjetër si ajo e Portorozhit dhe Kozara filloi të qeshte, në fakt më kishte ndodhur një tjetër ngjarje (me Kozarën dhe Nanon) në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2001 për të cilën do të flas më poshtë. Kozara më tha: “Nuk di detaje, gjithsesi po e njoftoj që e ke hapur telefonin”. Nuk kaluan as tri minuta dhe më mori Nano.

“Vali si je? Nuk je në Shqipëri?” I thashë që jam rrugës për në Paris. Më tha se “dua të të ftoj të bëhesh pjesë e kabinetit tim qeveritar si ministre e Punës dhe Çështjeve Sociale”.

Ishte krejt e papritur për mua, nuk e kisha menduar që një ditë do t’i bashkohesha politikës, atje ku isha (atë kohë isha drejtore Ekzekutive e Qendrës për Popullsinë dhe Zhvillim dhe njëherësh isha e zgjedhur si presidente e Forumit të Organizatave Joqeveritare), kisha gjetur veten dhe gjithmonë kam menduar se liria është e çmuar; të jesh i lirë dhe të luftosh për lirinë e të tjerëve në shoqërinë civile të bën të ndihesh mirë. Ky ndryshim do të thoshte shkëputje e plotë nga shoqëria civile ku isha angazhuar për më shumë se dhjetë vjet e të nisje një gjë tjetër ku ndonjëherë është vështirë të jesh vetja. M’u kujtua një mësim nga Sartri kur thoshte se: “Individët janë të lire dhe përgjegjës për vendimet dhe veprimet që kryejnë. Ata duhet të vendosin standardet dhe rregullat e jetës dhe veprimtarisë së tyre”. E vlerësoja shumë këtë mësim. A do të ishte e mundur kjo në politikë? Kisha bindjen që jo. Do të ishte e vështirë.

Përgjigjja ime ishte e menjëhershme. “Faleminderit për vlerësimin, po nuk e kam menduar ndonjëherë dhe e…”, por ende pa e mbaruar unë fjalën më tha, “duhet ta pranosh…”.

Ndërkohë që po diskutonim, Nano insistoi e në fund më tha: “Gjithsesi më dërgo një CV tënden se kam mbledhjen e Kryesisë së Partisë dhe më duhet CV-ja për të paraqitur kandidaturën në Kryesi e pastaj flasim, – dhe shtoi, – do të të marr përsëri në telefon, ti arrin në orën 9:20 në Paris, (më çuditi ky detaj) ndërkohë unë kam një  takim dhe me Gjinushin (Gjinushi, kryetari i PSD-së, ish- ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale atë kohë), por me Valentina Leskaj  të pothuaj e kemi mbyllur, që nuk do të jetë”. Po mendoja si ta dërgoj CV-në, për një gjë që nuk kam vendosur ta pranoj?

Pyetje: Megjithatë ju e dërguat CV-në tuaj. A ishte një vendimmarrje e lehtë?

Në fakt, nuk ishte një vendimmarrje e lehtë, sepse ishte dhe e papritur, e përjetova me shqetësim, të  kaloje në një status tjetër ishte një ndryshim jo i vogël. Është tjetër gjë kur je brenda politikës dhe të ofrohet një pozicion, që natyrisht edhe atëherë duhet ta mendosh, po në rastin tim, ishte një ndryshim jo i vogël edhe për faktin që isha e para që po hyja nga shoqëria civile në politikë. Më pas shumë përfaqësues të shoqërisë civile u angazhuan, po në atë kohë kishte dhe më shumë paragjykime. Atëherë etiketoheshe si i/e anësuar vetëm se mund të takoje një politikan e për këtë sulmoheshe në gazeta, po natyrisht për mua kjo ishte e fundit, sepse çdo njeri ka të drejtën të zgjedhë e të besojë në një forcë politike, madje edhe kur është në shoqërinë civile, diferenca bëhet në qëndrimet që mban dhe në vendimet që merr. Megjithëse për fat të keq edhe sot nuk jemi çliruar, po gjithsesi është një ndryshim shumë i madh me gati 20 vjet më parë. E ndava me bashkëshortin tim. Im shoq nuk ishte ndonjë entuziast i politikës, po asnjëherë nuk më ka imponuar mendimin e tij në vendimmarrje profesionale, po me një ton të ftohtë më tha: “Bëj zgjedhjen tënde duke i vënë të gjitha në balancë, sepse natyrisht që është një tjetër impenjim. Po mendoje vetë”. Mora në telefon djalin e madh Arianin, dhe i thashë për propozimin që më kishte bërë Nano, gjithmonë e kam çmuar pjekurinë, mendjen e ftohtë dhe  racionalitetin e Arianit, i cili pasi më tha se vendimi është i yti, më pas duke bërë një diskutim mes nesh më tha: “Mam natyrisht je ti që duhet ta marrësh vendimin, unë mendoj që kjo ftesë është një vlerësim, është rezultat i investimit që ke bërë, në fund të fundit, është produkt i angazhimit tend qytetar, ndërkohë është edhe një fushë që ti e njeh mirë, gjithsesi zgjedhja është e jotja”. Natyrisht që isha në dilemë, ishte një vendim jo I lehtë, mora në telefon miken time, Diana Çulin. I thashë: “Diana ç’më gjeti, kam një siklet”. Ajo e dinte që isha nisur për në Paris dhe menjëherë tha: “Çfarë, të humbi bagazhi?”. Kjo shprehje e ktheu në humor situatën, që më kishte krijuar pak tension duke qenë edhe ndën presionin e kohës. I thashë është më shumë se bagazhi dhe i tregova për telefonatën e Nanos, Diana pa e zgjatur shumë më tha: “Po çfarë thua, kjo është një gjë shumë e mirë, është e mirë për të gjithë ne të shoqërisë civile, që politika hapet ndaj saj. Duhet të kthehesh dhe më thuaj nëse të duhet gjë”.

Sapo hyja te dera e avionit më mori në telefon një mike tjetër e imja, Valdet Sala, e cila pasi më pyeti si  je më tha: “Vali je propozuar për ministre e Punës dhe Çështjeve Sociale? Nuk duhet ta refuzosh”.

Në fillim e pyeta si e more vesh, sepse mendova që si mund të ishte bërë fakt i kryer kur ende nuk i kisha dhënë miratimin kryeministrit dhe njëherësh kryetar i PS-së. Ajo më tha dëgjova Fatos Nanon në televizor. E pyeta menjëherë nëse e kishte përmendur emrin tim. Valdeti më tha: “Jo, po e kuptova nga ato që ai tha: kam ftuar një zonjë nga shoqëria civile”, dhe përmendi çfarë ai kishte thënë, “dhe jam e bindur që je ti dhe duhet ta pranosh, nuk duhet ta refuzosh.” Tha gjithashtu se është mirë për të gjitha ne, përfaqësimi etj. Gjithsesi, meqenëse Nano insistoi duke më thënë ma dërgo CV-në se do të flasim prapë pas mbledhjes së Kryesisë, fola me asistenten time që të çonte një CV te Partia Socialiste.

Kur mbërrita në Paris fola edhe me Besnikun, djalin e dytë, që po na priste në aeroport, i cili më tha pak a shumë se ti e di vetë, është zgjedhja jote, por pata ndjesinë që nuk kishte ndonjë entuziazëm e anonte më shumë nga jo, nuk e kam diskutuar më me të pse e pati atë ngurrim, po ndoshta ngaqë e shihte që andej se si funksiononte politika këtu në Shqipëri dhe nuk mund të mos më ndikonte intuita dhe mendja e ftohtë e Besnikut, që ma shtoi hezitimin. Ai i ka ndenjur gjithmonë larg politikës, ka qenë shumë i lidhur me studimet dhe profesionin e tij. Nano më mori përsëri në telefon dhe më tha: “Vali duhet të ndryshosh biletën e të kthehesh”. Me sa duket e kishte miratuar edhe në Kryesi. Bileta ishte një siklet më vete se ishte ditë e diel dhe kishte vështirësi. Gjithsesi u ktheva dhe u bëra pjesë e kabinetit.

Këtë prag-zgjedhjesh, kemi hapur sondazhin për të parë se ku është mbështetja juaj ndaj partive dhe kandidatëve përkatës. Klikoni këtu për të votuar dhe për të aksesuar statistikat e deritanishme.

spot_img

Më shumë

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lajmet e fundit

spot_img