Tirana
few clouds
-0.5 ° C
-0.5 °
-0.5 °
86 %
1kmh
20 %
Die
10 °
Hën
9 °
Mar
10 °
Mër
10 °
Enj
11 °
E diel, 29 Janar, 2023

Vaksinimi kundër Covid-19 përpara dhe gjatë shtatzanisë si dhe gjatë laktacionit

spot_img

Lajme të ngjashëm

Elton Peci

Mjek Obstetër – Gjinekolog

Shef i departamentit të Mjeksisë Riprodhuese & Fertilizimit In Vitro

Spitali Amerikan

Fushata e vaksinimit kundër Covid-19 është duke ecur me ritme gjithnjë e më të shpejta kudo në botë. Mjaft femra shtatzana ose që janë në planifikim të një shtatzanie janë vaksinuar tashmë.

Si në çdo intervent mjeksor, vendimi pro apo kundër vaksinimit duhet të bazohet në raportin mes përfitimeve dhe rreziqeve. Cilat janë përfitimet që sjell vaksinimi kundër Covid-19? A ka ndonjë rrezik ky vaksinim?

Le ti përgjigjemi këtyre pyetjeve dhe shumë të tjerave bazuar edhe në rekomandimet zyrtare të organizatave mjeksore më prestigjoze të kudo në botë (WHO, ACOG, ASRM, RCOG etj).

Përse duhet të merret Vaksina Covid-19?

Në rreth 80% të rasteve Covid-19 mund të jetë asimptomatik, pra të kalojë pa asnjë shenjë ose me shenja shumë të lehta aq sa individi i prekur mund të mos i konstatojë aspak. Por në disa raste Covid-19 mund të jetë i formës së rëndë deri edhe kërcënues për jetën. Një formë e rëndë do të thotë që pacienti të ketë nevojë për:

  • Hospitalizim
  • Terapi intensive
  • Ventilim mekanik (intubim).

Individët që zhvillojnë formë të rëndë të Covid-19 rrezikojnë edhe jetën.

Numri i madh i atyre që janë asimptomatikë favorizon përhapjen e virusit pasi asimptomatikët duke qenë se kanë pak ose aspak shenja, nuk përbëjnë motiv për tu shqetësuar për veten apo edhe për ambientin përreth. Për këtë arsye vaksinimi është shumë i rëndësishëm.

Nga ana tjetër, një individ i vaksinuar ka shumë herë më pak rrezik për të zhvilluar forma të rënda të sëmundjes nqs infektohet dhe më pak mundësi për të transmetuar virusin SARS-Cov-2 për shkak se edhe ngarkesa virale është më e vogël.

Vaksinimi kundër Covid-19 merr kështu një rëndësi jo vetëm në planin personal, por edhe në mbrojtjen e shëndetit publik. Është arma më efikase që njerëzimi ka në dispozicion kundër kësaj sëmundje. Nuk pritet që virusi SARS-CoV-2 të zhduket nga vaksina, por që gradualisht do të kthehet në një sëmundje te zakonshme me shumë pak ndikim në shendetin personal dhe atë publik si shume sëmundje të tjera.

Vaksinat Covid 19 dhe shtatzania

Covid-19 mund të rrezikojë si nënën shtatzanë ashtu edhe fetusin! Mundësia për të patur komplikacione serioze nga Covid-19 është më e madhe tek femrat shtatzana. Studimet tregojnë se shtatzania e rrit rrezikun tek femra për të zhvilluar forma të rënda të sëmundjes nqs preket nga Covid-19. Femrat shtatzana të infektuara me SARS-Cov-2 kanë:

  • një rrezik deri 6 herë më të lartë për hospitalizim (shtrim në spital),
  • rritje me 50% të rrezikut për tu shtruar në terapi intensive (reanimacion)
  • një rritje me 70% të rrezikut për të përfunduar në ventilim mekanik (intubim).
  • Një rrezik deri 10 herë më të lartë për të vdekur.

Po ashtu edhe rreziku për lindje premature (para kohe) është më i rritur tek shtatzanat qe preken nga Covid-19.

Cilat vaksina kundër Covid-19 rekomandohen për femrat që janë në kërkim të një shtatzanie ose që janë shtatzana?

Për ti përgjigjur kësaj pyetje duhet fillimisht të themi se ka disa lloje vaksinash të aprovuara për përdorim. Le të shpjegojmë dy grupet kryesore të vaksinave:

  • Vaksinat mRNA (Pfizer/BioNTech dhe COVID-19 Vaccine Moderna). Këto vaksina përdorin RNA mesazhere për të prodhuar proteinën spike (spike protein) cila në mënyrë të sigurtë gjeneron një përgjigje të sistemit imunitar. Për shkak të mekanizmit inovator, këto vaksina nuk kanë ndonjë ndikim negativ gjatë shtatzanisë apo edhe gjatë laktacionit.
  • Vaksinat me vektor viralë (COVID-19 Vaccine Oxford AstraZeneca, Sputnik V nga Gamaleya Research Institute dhe Janssen/Ad26.COV 2.S prodhuar nga Johnson & Johnson). Këto vaksina përdorin një virus të sigurt (adenovirus) që nuk mund të shkaktojë sëmundje por që shërben si një platformë për të prodhuar proteinën spike të koronavirusit e cila nga ana e saj gjeneron një përgjigje të sistemit imunitar. Duke qenë se këto vaksina nuk bazohen mbi koronaviruse të dobësuara (ose pjesë të tyre) nuk ka se si ato të ndikojnë negativisht në shtatzani apo edhe në laktacion.

Pavarësisht sa më lart, shumica e rekomandimeve tentojnë të anojnë në favor përdorimit të mRNA vaksinave (Pfizer, Moderna) për shkak se edhe të eksperiencës më të madhe me to (më shumë vaksinime e për rrjedhojë më shumë studime dhe siguri më e madhe).

Cilat janë rekomandimet lidhur me vaksinimin kundër Covid – 19 gjatë shtatzanisë?

Studimet tregojnë se nuk ka asnjë kundërindikim ndaj vaksinimit kundër Covid-19 në çdo trimestër të shtatzanisë. Veç këtyre studimeve, tashmë ka me miliona vaksinime (nga Pfizer, Astra Zeneca, Moderna etj) kundër Covid-19 ndër gratë përpara dhe gjatë shtatzanisë dhe ne nuk mund të themi “ende është herët apo ende nuk kemi informacion.

Përkundrejt zhurmës keqinformuese që bazohet në mosnjohje të fakteve shkencore, përfundimet e studimeve janë të qarta lidhur me vaksinat Covid-19: Këto vaksina: 

  • Nuk dëmtojnë fertilitetin tek femra.
  • Nuk dëmtojnë fertilitetin tek mashkulli.
  • Nuk shkaktojnë abort.
  • Nuk dëmtojnë fetusin gjatë shtatzanisë.
  • Përkundrazi antitrupat që nxit vaksina ofrojnë një mbrojtje për bebin para lindjes por edhe në javët e para pas lindjes.
  • Nuk dëmtojnë gruan shtatzanë.

Duke konsideruar avantazhet e shumta që sjell vaksinimi dhe rrezikun e papërfillshëm që ai paraqet, organizatat mjeksore më preztigjoze si WHO, ACOG, ASRM, RCOG, etj rekomandojnë vaksinimin kundër Covid-19 gjatë shtatzanisë.

Cilat janë rekomandimet lidhur me vaksinimin kundër Covid – 19 para shtatzanisë?

Të njëjtat rekomandime janë edhe tek femrat që janë në kërkim të një shtatzanie, qoftë kjo natyrale apo përmes Fertilizimit In Vitro. Është mirë (ashtu si për çdo medikament) që vaksinimi të plotësohet përpara shtatzanisë.

Vaksinimi kundër Covid-19 nuk duhet të interferojë aspak me planet për të patur një shtatzani natyrale apo përmes Fertilizimit In Vitro. Vaksinimi kundër Covid – 19 nuk ka asnjë ndikim në trajtimet për infertilitet.

Cilat janë rekomandimet lidhur me vaksinimin kundër Covid – 19 gjatë laktacionit (ushyerjes me gji)?

Rekomandimet janë që ushqimi me gji të mos ndalet për shkak se duhet të vaksinoheni. Nuk ka asnjë provë që të tregojë se vaksina Covid-19 është me rrezik gjatë laktacionit. Nuk ka asnjë provë që të tregojë se ndonjë nga përbërësit e vaksinës të kalojë tek bebi përmes qumështit. Ka shumë përfitime qumështi i nënës, ndër të cilat edhe antitrupat për infeksione të ndryshme. Për këtë arsye ushqimi me gji nuk duhet të ndalohet pavarësisht se nëna mund të vaksinohet.

A duhet ta bëj vaksinën nqs e kam kaluar Covid-19?

Edhe nqs ju e keni kaluar Covid-19, ju duhet të vaksinoheni. Ende nuk dihet me saktësi se sa zgjat imuniteti ynë kur e kemi kaluar Covid-19. Imuniteti ynë natyral ndryshon nga individi në individ. Për më tepër, janë raportuar edhe infeksione për herë të dytë nga Covid-19 (megjithëse raste të rralla). Për shkak të pasojave të rënda për shëndetin që mund të shkaktojë Covid-19 si edhe për shkak të mundësisë për reinfeksion, vaksinimi rekomandohet edhe për ata që e kanë kaluar Covid-19.

Për çdo pyetje lidhur me vaksinat Covid – 19 para apo gjatë shtatzanisë duhet patjetër të konsultoheni nga mjeku gjinekolog. Nqs kërkoni informacione shtesë, atëherë mund të konsultoni edhe burimet zyrtare të:

  • American Society for Reproductive Medicine (ASRM)
  • The American College of Obstetricians and Gynecologists (ACOG)
  • World Health Organization (WHO), 
  • Royal College of Obstetricians and Gynaecologists (RCOG)

Më shumë


spot_img








spot_img