Ministrja Elisa Spiropali ka reaguar në lidhje me një mbledhje të fundit të kryeministrit Edi Rama ka zhvilluar me drejtorët dhe sekretarët e përgjithshëm të ministrive, duke pretenduar se është vetëm një tymnajë që ka nisur nga ballkoni poshtë shtëpisë së Berishës.
"Një tym ka nisur nga poshtë ballkonit të rrugicës mbrapa Piramidës dhe është përhapur nëpër mexhelis me mllefin e zellshëm kundër Edi Ramës dhe PS, për t’u hedhur shqiptarëve në sy hirin e një plani djallëzor “të socialistëve të alarmuar kundër Spakut”, shkruan ministrja.
Sipas Elisa Spiropalit, kjo është një e pavërtetë sepse Reforma në Drejtësi dhe SPAK janë ndër arsyet e krenarisë së socialistëve në pushtet.
"Partia Socialiste nuk është as në ballkon, as në ranishte, po në krye të një lufte që vazhdon, për drejtësinë deri në fund, për Shqipërinë 2030. Të tjerat janë tym nga ballkoni mbi rrugicë, thashetheme nga ranishtja në gji të Lalzit dhe jerm nga ëndërrzgjëndra e Lulit", vijon ajo.
Lexo edhe: Rama mbledh drejtorët dhe Sekretarët e Përgjithshëm, mesazhi për SPAK dhe BKH
Kryeministri Edi Rama, ka mbledhur pasditen e së martës në ambientet e Kryeministrisë drejtorët e Përgjithshëm të agjencive si dhe Sekretarët e Përgjithshëm të ministrive.
Në një takim i cili zgjati për gati një orë e 45 minuta, burime për mediat bëjnë me dije se kreu i qeverisë u foli lidhur me zhvillimet dhe lëvizjet e bëra së fundmi nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byroja Kombëtare e Hetimit.
I shqetësuar nga lëvizjet e bëra së fundmi nga BKH dhe SPAK dhe ndërhyrjet e tyre direkte në institucione dhe në administratë, ku kanë shkuar dhe kanë marrë një sërë dokumentash, Rama ka “këshilluar” drejtorët dhe sekretarët që të tregohen të kujdesshëm dhe të mos ia hapin dyert kujtdo, duke mos lejuar kështu marrjen e të gjitha dokumentave dhe kontrolleve në tejkalim të procedurës.