Ndalohet në aeroport i dyshuari për rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut. Çollaku u rrëmbye në mës të Durrësit dhe u vra në afërsi të një fshati në Krujë, disa ditë më parë.
I ndaluari nga policia quhet Denis Shtraza dhe është 33 vjeç.
Nuk jepen detaje më shumë rreth mënyrës si u hetua Shtraza, por ajo që dihet është se u kap në aeroportin ‘’Nënë Tereza’’, teksa ishte duke u larguar nga vendi.
“Ndalohet një nga autorët e dyshuar për rrëmbimin dhe vrasjen e shtetasit G.Ç.
Policia e Durrësit në bashkëpunim më Drejtorinë e Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë, pas një hetimi intensiv, ka bërë të mundur identifikimin dhe ndalimin e shtetasit Denis Shtraza, 33 vjeç, banues në Durrës.
Ndalimi i 33-vjeçarit Shtraza, u krye pasi dyshohet si një nga autorët e rrëmbimit dhe më pas të vrasjes së shtetasit G.Ç.
Shtetasi Denis Shtraza, u arrestua mbrëmë rreth orës 21:00, në Rinas, ndërsa po tentonte të largohej nga Shqipëria.
Ai është person me tendenca të theksuara kriminale, me precedentë penalë të mëparshën në fushën e veprave penale kundër jetës dhe është gjithashtu i dyshuar si anëtar i një grupi kriminal që operon në zonën e Lushnjës dhe të Tiranës.
Në datë 06.01.2016, në lagjen Nr.1 në Durrës, 4 persona, 3 prej të cilëve me jelekë dhe mbishkrimin “Policia”, kanë marrë me forcë duke e futur në mjetin e tyre tip “Audi A6” me ngjyrë të zezë shtetasin G.Ç, 34 vjeç, banues në Durrës, i cili u gjet i vrarë me armë zjarri një ditë më pas, në fshatin Murqin, Krujë, i hedhur në rrugë dhe me gjymtyrë të lidhura.
Vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të ngjarjes si dhe dokumentimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” dhe “Vrasja, të kryera në bashkëpunim”, njofton policia.