Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka ndarë dje në Tiranë, çmimet vjetore për gazetarët. Në ceremoninë tradicionale morën pjesë kolegë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës.
Veprimtaria e zhvilluar në mjediset e Hotel Tirana International, në prezencën e presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, përkrahur nga JTI, shënoi edicionin e 15 të ndarjes së çmimeve të konkursit "Vangjush Gambeta" për gazetarinë ekonomike, si dhe të tjerë të rëndësishëm për gazetarët nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Duke iu drejtuar të pranishmëve Presidenti Begaj vlerësoi lart kontributin e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë dhe gazetarëve në përgjithësi duke theksuar se ata janë duke bërë një punë shumë të rëndësishme shoqërore dhe se në shumë raste me shkrimet e veta analitike dhe hulumtuese janë duke kontribuar në informimin e opinionit për problemet dhe keqpërdorimet me të cilat po ballafaqohen shoqëritë tona.
Ceremonia e organizuar nga Unioni i Gazetareve Shqiptare, per çmimet vjetore
Presidenti e konsideroi rolin e gazetarëve njëjtë me atë të mjekëve të cilët kujdesen për shëndetin e individëve të shoqërisë, ndërsa gazetarët për informimin e opinionit publik.
Drejtori i JTI për Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, Sazan Alija, foli me konsideratat më të larta për punën dhe angazhimin e gazetarisë ekonomike dhe theksoi “se puna juaj është thelbësore në rritjen e transparencës së institucioneve shtetërore si dhe në krijimin e një konkurrence të ndershme për bizneset, në veçanti lidhur me “fiskalizimin” ose përpjekjet që bën shteti kundër evazionit fiskal në ekonomi”.
Alija theksoi se përveç përkrahjes së çmimeve Vangjush Gambeta, JTI ka mbështetur veçanërisht gazetarinë ekonomike duke përkrahur dhe mundësuar pjesëmarrjen e tyre në Kongresin e Gazetarisë në Vjenë, Samiti i ministrave të financave, guvernatorëve të bankave qendrore dhe administratave tatimore në Malin e Zi dhe ngjarjet tjera, me një qëllim qartë – të rriten praktikat rajonale për mirë qeverisje, sundim të ligjit dhe ekonomi tregu të lirë.
Me këtë rast kryetari i UGSH Aleksander Çipa i ndau mirënjohje JTI partnerit tradicional i cili për 15 vite ka mundësuar konkursin për çmimet "Vangjush Gambeta".
Ceremonia e organizuar nga Unioni i Gazetareve Shqiptare, per çmimet vjetore
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka ndarë dy çmimet e rëndësishme "Karriera" të cilat i kanë fituar: Elez Biberaj, drejtues i VOA dhe ish drejtues i programit shqip të Zërit të Amerikës dhe Augustin Palokaj, korrespondent i Grupit Koha nga Brukseli.
Emocione të veçanta shkaktoi mesazhi që Dr. Elez Biberaj i drejtonte UGSH me rastin e vlerësimit të tij me çmimin "Karriera".
Çmimet e konkursit “Vangjush Gambeta “2023 i kanë fituar: Entela Bajramaj- Televizion-Shqipëri, Julian Hoxhaj, shtypi i shkruar/online, Zenel Miftari, Maqedoni e Veriut dhe Sanije Jusufi nga Grupi Koha.
Çmimi “Reporter i Vitit”i është ndarë për gazetarin Osman Stafa, çmimi “Raportimi më i mirë i Vitit” për gazetarin Thimi Samarxhiu dhe çmimi “Ismet Bellova” për gazetarinë sportive post mortum iu nda gazetarit të Radio Kosovës Milaim Krasniqi.
Ceremonia u moderua nga gazetarja Alketa Gashi Fazlliu e RTK, Prishtinë, dhe Sebastian Zonja i MCN, Tiranë.
Ceremonia e organizuar nga Unioni i Gazetareve Shqiptare, per çmimet vjetore