Hapësire reklamuese

Politikë

"Unë e di që sot në Shqipëri ata që deklarohen të majtë janë shumë", Luan Rama thyen heshtjen zgjedhore për të kërkuar votën

Shkruar nga Newsbomb
"Unë e di që sot në Shqipëri ata që deklarohen

Luan Rama, drejtuesi politik i LSI në Vlorë përmes një shkrimi kërkon votën e vlonjatëve, edhe sot në ditën e heshtjes zgjedhore.

“Kandidoj dhe kërkoj të votohem në Vlorë e në të gjithë qarkun për të treguar se jemi një, sepse pavarësisht origjinës, në Vlorë jemi të gjithë vlonjatë e bëhemi bashkë nën një flamur, nën flamurin që Vlora i dha Shqipërisë. Unë jam në mesin tuaj, mos më merrni për të huaj. Ja, kështu shkroi Naim Shqipëria.

Vota juaj është mbështetje për qartësi dhe pagabueshmëri. Të jemi bashkë që Shqipërisë t'i venë punët mbarë. Të gjitha kthesat e mbarësisë shqiptare kanë nisur këtu në Vlorë”, shkruan Rama ndër të tjera.

Më tej, Luan Rama shton se “sot në Shqipëri ata që deklarohen të majtë janë shumë”, duke theksuar se i përket një “lëvizjeje socialiste” që asnjëherë nuk e ka harruar e tradhtuar burimin e vet, bazën e vet, vegjëlinë popullore, që duhet të ketë zëdhënësit e vet besnikë.

Shkrimi i plotë i Luan Ramës:

25 prilli - dita e madhe e fitores:

PËRSE KANDIDOJ NË VLORË?...

Është një pyetje ia kam bërë vetes disa muaj më parë kur pranova propozimin që të kryesoja listën e kandidatëve të LSI-së në qarkun e Vlorës, e më pas ma kanë bërë mua edhe plot të tjerë; më të shumtët miqësisht, por edhe ca nga ata që pas naivitetit në dukje nuk e fshihnin dot një dozë skepticizmi e mosbesimi.

Përse kandidoj në Vlorë?

Nuk jam nxituar të përgjigjem, i bindur se puna ime në Vlorë, Sarandë, Selenicë, Himarë, Delvinë, Konispol dhe Finiq e në të gjithë hapësirën e këtij qarku, do ta jepte përgjigjen për të gjithë ata që më propozuan dhe më mbështetën, e do ta shuante edhe kërshërinë e kureshtarëve.

Gjatë tri dekadave të fundme shumë gjëra kanë ndryshuar. Në gjurmët e Vlorës, nga e cila kanë nisur të mirat e Shqipërisë, kam qenë koherent e i pagabueshëm si ajo: në qendrimin ndaj Luftës Antifashiste, në qendrimim ndaj heroizmit popullor e në qendrimin ndaj shtetit.

Jam krenar që kandidoj në Vlorë, siç do të ishte kushdo tjetër në vendin tim, sepse kur Vlora zgjedh mirë, Shqipëria ka zgjedhur një rrugë të sigurtë.

Unë jam në moshën që nuk më lejohet të gaboj edhe atje ku gabohet më shpesh: në politikë. Vlora është garancia ime, sepse Vlora nuk ka gabuar kurrë në histori. Dhe ne jemi tani në pikën që të gjithë duan ndërrimin e rrugës së historisë.

Kandidoj në Vlorë sepse gjithë Shqipëria i ka borxhe Vlorës, dhe unë e kam ofruar veten time që të bëj më të mirën për të shlyer sadopak këto borxhe.

Nga tradita ime familjare unë ndihem vlonjat. Jam këtu si në shtëpinë time, ndaj duke kandiduar në Vlorë i ftoj të gjithë qytetarët e saj dhe të të gjithë qarkut që të më gjykojnë, të më vlerësojnë dhe të më votojnë si njeriun e tyre.

Sot në Shqipëri ata që deklarohen të majtë janë shumë.

Unë i takoj një lëvizjeje socialiste që asnjëherë nuk e ka harruar e tradhtuar burimin e vet, bazën e vet, vegjëlinë popullore, që duhet të ketë zëdhënësit e vet besnikë.

Kandidoj dhe kërkoj të votohem në Vlorë e në të gjithë qarkun për të treguar se jemi një, sepse pavarësisht origjinës, në Vlorë jemi të gjithë vlonjatë e bëhemi bashkë nën një flamur, nën flamurin që Vlora i dha Shqipërisë. Unë jam në mesin tuaj, mos më merrni për të huaj. Ja, kështu shkroi Naim Shqipëria.

Vota juaj është mbështetje për qartësi dhe pagabueshmëri. Të jemi bashkë që Shqipërisë t'i venë punët mbarë. Të gjitha kthesat e mbarësisë shqiptare kanë nisur këtu në Vlorë.

Dhe këtu në Vlorë do të përcaktohet ndryshimi i shumëpritur, ndryshimi për Shqipërinë!

Prandaj kandidoj në Vlorë, i bindur që Vlora do të më votojë duke më dhënë besim, që besimin t’ia kthej në përgjegjësi, në shërbim, në përfaqësim.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu