Hapësire reklamuese

Aktualitet

"Unë do të vras djalin", zbardhet dëshmia e biznesmenit që u kërcënua për tenderin, përgjegjësi në Bashkinë e Tiranës vuri në lëvizje dy kriminelë

Shkruar nga Newsbomb
"Unë do të vras djalin", zbardhet dëshmia e biznesmenit

Shaqir Alcani, pronar i firmës "Alcani shpk", djali i tij Algert Alcani dhe një shtetas i identifikuar si Edmir Boçi kanë rënë në prangat e Policisë së Elbasanit dhe Forcës Operacionale. Ata janë prangosur tre ditë më parë, pasi kërcënuan me jetë një biznesmen të tërhiqej nga tenderi.

Bëhet fjalë për biznesmenin Eral Myftari, i cili ishte futur në një procedurë të rregullt prokurimi në Bashkinë e Tiranës dhe kishte fituar. Subjekti tjetër garues ishte firma e Shaqir Alcanit, por ajo është skualifikuar për shkak se kishte dhënë ofertë më të lartë për lëndë drusore.

“Ora News” zbardh dëshminë e dhënë nga sipërmarrësi Eral Myftaraj. Ky i fundit tregon sesi u kontaktua nga Shaqir e Algert Alcani që të tërhiqej nga gara për tenderin, kur kishte aplikuar dhe më pas kur fitoi. Myftaraj ka treguar dhe si u kërcënua me jetë nga dy kriminelë të vënë në lëvizje nga babë e bir, Shaqir e Algert Alcani.

Algert Alcani punonte në Bashkinë e Tiranës deri në momentin e arrestimit. Edhe pse vetëm 27 vjeç, ai ishte emëruar përgjegjës për Vlerësimin e Performancës. Në sistem, kishte hyrë si student ekselent, pasi kishte fituar të drejtën për të punuar në administratën publike.

“Unë kam ndjekur të gjitha procedurat për konkurrimin në këtë prokurim publik dhe jam shpallur fitues. Para se të shpallesha fitues, që kur mora pjesë në këtë prokurim publik më ka kontaktuar shtetasi Shaqir Alcani dhe djali i tij Algert Alcani, të cilët i njoh prej kohësh sepse kanë biznes në të njejtën fushë. Këta shtetas janë me origjinë nga Librazhdi dhe banues në Tiranë.

Shaqiri më ka kontaktuar nga numri 06......... ku me ka telefonuar dhe nga numri 06........... në Whatsapp, kurse Algerti nga numri 06..........

Ata më kanë telefonuar tek numri im 06.......... dhe kemi shkëmbyer biseda me mesazhe edhe në Whatsapp.

Kur aplikova në fillim, kam folur dhe jam takuar me këta shtetas dhe më kanë thënë që të tërhiqesha nga ky tender sepse donin ta fitonin ata. Unë i thashë që nuk tërhiqesha dot, por të vazhdonte procedura e rregullt dhe ligjore dhe nëse fituese do shpallej kompania e Shaqirit unë nuk do ankohesha dhe le ta fitonin ata nëse i përmbushnin kushtet ligjore dhe e meritonin.

Më pas, pasi u shpalla fitues dhe konkretisht në datë 06.04.2023 më kontaktoi numri 06..........., i cili më është prezantuar si Edmir Boçi nga Manatia e Lezhës. Nuk e njihja këtë person dhe më tha që donte të më takonte.

E kam takuar në një lokal në zonën e Medresesë në Tiranë, rreth orës 21:00, dhe ky shtetas ishte së bashku me një shtetas tjetër, i cili u prezantua si Louis Konomi nga Burreli dhe as këtë nuk e njihja.

Këta persona më thanë që vinin në emër të Shaqirit dhe Algertit dhe më thanë që të tërhiqesha nga prokurimi publik që unë kisha fituar. Unë i thashë që nuk tërhiqesha dot, sepse kisha fituar dhe po ta bëja këtë do kishte penalitete kompania ime, sepse kështu është ligji.

Këta dy shtetas po më bënin presion duke më thënë që do kisha problem me ta nëse nuk do tërhiqesha. I thashë që nuk tërhiqem dot dhe kështu u mbyll biseda mes nesh.

Më pas të nesërmen në datë 07.04.2023 rreth orës 22:00 më telefonoi Edmir Boçi dhe më kërkoi të takoheshim sërish. Jemi takuar tek një lokal në rrugën “Don Bosco” Tiranë dhe Edmiri ishte i vetëm. Ai erdhi me një makinë Benz G-Class i hirtë.

Jemi ulur aty në lokal dhe vazhdoi me të njëjtën bisedë ku më kërkonte të tërhiqesha nga tenderi. Unë sërish i thashë të njejtën gjë që nuk tërhiqesha dot sepse do kisha penalitete financiare dhe juridike të firmës. Pasi qëndruam gati 10 minuta, Edmiri u çua dhe iku.

Pikërisht pasi Edmiri është çuar nga tavolina ku po bisedonim mua më ka telefonuar numri 06............., i cili m’u prezantua me pseudonimin “Çupja”, dhe më pas mora vesh që quhej Louis Konomi nga Burreli. Ky person më tha tekstualisht: “Me këtë që bëre që nuk u tërhoqe nga tenderi unë do të të vras djalin”.

Pas këtij episodi kam komunikuar me Algertin dhe i thashë që do mbante përgjegjësi për këto kërcënime dhe njerëzit që më kishte futur dhe Algerti më tha që sa të ishte ai gjallë nuk lejonte që unë të tallesha me babanë e tij. Këtë bisedë e bëmë në Whatsapp dhe unë i kam bërë screenshot bisedave dhe jua vë në dispozicion”, ka thënë biznesmeni Eral Myftaraj para prokurorëve.

LEXO EDHE: Fitoi tender në Bashkinë e Tiranës, pronari i kompanisë kërcënohet me jetë, ndërhyn Operacionalja (PAMJET)

LEXO EDHE: “Të vrasim ty dhe familjen”, zbardhet SKANDALI: Biznesmenit që fitoi tenderin në Tiranë i vendosën pistoletën në kokë që të tërhiqej (E PLOTË)

LEXO EDHE: Operacionalja i vuri prangat, Algert Alcani përgjegjës në Bashkinë e Tiranës! Kërcënoi me jetë biznesmenin që i mori tenderin babait të tij

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese