Hapësire reklamuese

Aktualitet

U tradhtua nga pasioni për "bjondet", si u prangos trafikanti shqiptar pas 12 vitesh

Shkruar nga Newsbomb

Faslli Qibini, një shtetas shqiptar i dënuar me 22 vite burg nga drejtësia italiane, është arrestuar nga karabinierët e Napolit mbrëmjen e së premtes. Ai ishte në kërkim prej vitit 2011 kur theu arrestin e shtëpisë dhe u arratis pa gjurmë, shkruan newsbomb.al.

64 vjeçari kërkohej intensivisht prej 12 vitesh, si i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge sepse bënte biznes me klanin Di Lauro dhe më pas me “Nardielli”, një grup kriminal nga pala Oplontine.

Faslli Qibini konsiderohet si ndërmjetës në trafikun ndërkufitar të drogës. Sipas hetuesve, ai menaxhonte dhe ndërmjetësonte trafikun e heroinës midis vendit të tij të origjinës, pra Shqipërisë, Greqisë, Turqisë dhe Italisë Jugore.

Pamje te shperndara nga karabinieret e Napolit Pamje te shperndara nga karabinieret e Napolit

Newsbomb.al mëson se Faslli Qibini jetonte në zonën e Napolit me bashkëshorten dhe djalin dhe gjatë periudhës së festave i kishte shpeshtuar daljet në publik. Kjo ka vënë në lëvizje ekipet policore që ruanin familjen e tij derisa është arritur në gjurmët e shqiptarit.

Si u arrit deri te arrestimi i Faslli Qibinit

Pas një periudhë e gjatë fshehjeje, prej prillit të vitit 2011 kur u arratis nga arresti i shtëpisë, Faslli Qibini nuk kishte bërë asnjë hap të gabuar. Për 12 vite me radhë ai kishte arritur të lëvizte në Napoli, larg vëmendjes së kujtdo dhe sigurisht dhe të karabinierëve.

Por, kjo zgjati deri në Krishtlindjet e 2023-shit. Efektivët e njësisë hetimore monitoronin me përpikmëri zakonet e familjes së shqiptarit 64 vjeçar, derisa vunë re një rritje të konsiderueshme të shpenzimeve familjare. Këtu dyshimet u shtuan.

Kur çdo gjë ishte mbyllur dhe pushim për festën e Krishtlindjes, gruaja dhe djali i Faslli Qibinit dilnin për të blerë cigare, shkruan newsbomb.al. Por, kjo u kushtoi shumë sepse ata vetë nuk ishin duhanpirës dhe karabinierët menjëherë dyshuan se blerjet ishin për trafikantin që kërkonin prej 12 vitesh.

Pamje nga karabinieret e Napolit, Itali Pamje nga karabinieret e Napolit, Itali

“Bjondet”, mendonin karabinierët, ishin për dikë tjetër. Kështu i referohen italianët cigareve. Njësia hetimore intensifikoi vëzhgimet dhe patrulloi lagjen me vëmendje gjithnjë e më të madhe. Njeriu që ata kërkonin, u shfaq.

Pak orë më parë, i tradhtuar nga nevoja për nikotinë, Faslli Qibini mendoi të dilte vetë për të blerë cigare dhe u shfaq në lagje. Megjithatë, nuk pati kohë të ndizte dhe një cigare të fundit sepse karabinierët e rrethuan dhe e prangosën. Ai tani është i izoluar në burgun Secondigliano.

Lexo edhe: Ndërmjetës i trafikut të heroinës, prangoset shqiptari i dënuar me 22 vite burg

//NEWSBOMB.AL

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese