
Policia e Kurbinit ka reaguar lidhur me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së dielës ku fillimisht u raportua se një 53-vjeçar humbi jetën pasi në gjendje të dehur ishte rrëzuar në rrugë.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi L.K, 53 vjeç, banues në Kurbin ka humbur jetën pasi është përplasur me automjet nga një 28-vjeçar. Menjëherë pas aksidentit i riu u largua nga vendi i aksidentit, ndërkohë 53-vjeçari si pasojë e përplasjes fatkeqësisht humbi jetën në vendin e ngjarjes.
28-vjeçari me ininciale E.S është vënë në prangat e policisë, ndërkohë në cilësinë e provës materiale u bë i mundur sekuestrimi i automjetit tip “Benz” të këtij shtetasi.
“Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në bashkëpunim me shërbimet e Qarkullimit Rrugor të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur rreth orës 18:00, të datës 05.11.2023, në aksin rrugor “Laç-Milot”, ku fillimisht u dyshua se aksidentalisht humbi jetën, si pasojë e rrëzimit në rrugë, duke qenë në gjendje të dehur, shtetasi L. K., 53 vjeç, banues në Kurbin, u identifikua dhe u vu në pranga shtetasi E. S., 28 vjeç, banues në Kurbin. Nga këto veprime rezultoi se shtetasi E. S. ka përplasur me automjet, shtetasin L. K. dhe është larguar nga vendi i aksidentit. Si pasojë, 53-vjeçari humbi jetën në vendngjarje. Në vijim, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti tip “Benz”, i shtetasit E. S”, thuhet në njoftimin e Policisë.
LEXO EDHE: Në gjendje të dehur rrëzohet në anë të rrugës, ndërron jetë 53 vjeçari në Kurbin