Vizita e kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, nuk u prit aspak mirë ditën e sotme në Kosovë. Dhjetra protestues u mblodhën para godinës ku dhe ajo po qëndronte.
Aktivistë të Partisë Socialdemokrate kanë hedhur flakadanë, ndërkohë policia për të shpërndarë turmën hodhi gaz lojtsjellës, duke bërë që gazetarët e pranishëm të shfaqnin edhe probleme me frymëmarrjen. Lidhur me këtë situatë të krijuar këtë të mërkurë ka reaguar edhe vete Trendafilova.
Ajo tha se do të dëshironte që të takohej me aktivistët e Partisë Socialdemokratike për të folur mbi pakënaqësitë që kanë mbi Gjykatën Speciale dhe jo që të bëhen protesta.
Partia Socialdemokrate (PSD), e cila nuk përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës, protestoi sot kundër kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, duke hedhur tymuese që krijuan tym të madh të zi pranë hotelit në Prishtinë, ku ajo po mbante takim me shoqërinë civile.
Kryetari i Partisë Socialdemokrate në Kosovë, Dardan Molliqaj dhe aktivistët Zgjim Hyseni, Nol Nushi, Korab Korça, Agron Kabashi e Gent Ibrahimi u arrestuan sot gjatë protestës kundër kryetares së Gjykatës Speciale në Kosovë, Ekaterina Trendafilova.
Lidhur me arrestime ka reaguar edhe PSD.
“Kjo është përpjekje për disiplinim dhe përmirësim imazhi për gjykatën e padrejtë speciale. Metodat frikësuese neve nuk na ndalin. Gjykata është raciste, e padrejtë dhe segreguese. Rezistenca vazhdon. Z. Trendafilova nuk është e mirëseardhur. Policia mund ta garantojë sigurinë fizike, por jo imazhin e një kryesuese të një procesi të padrejtë. Kërkojmë urgjentisht të lirohen aktivistët tonë!”, thuhej në reagim.
LEXO EDHE: Protesta në Prishtinë, dalin pamjet nga arrestimit i kreut të PSD-së
Gjykata Speciale apo Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Gjykata është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.