Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

U kritkua për librin, pedagogia i del në krah Lea Ypit: Gjurmët e diktaturës janë ende të gjalla, por mos u mërzit derisa koha të tregojë vlerat e shkrimit

Shkruar nga Newsbomb
U kritkua për librin, pedagogia i del në krah Lea Ypit: Gjurmët e

Pedagogia Klodiana Beshku i ka dalë në krah akademikes Lea Ypi, pasi libri i saj i titulluar “Të lirë” u prit me kritika në Shqipëri. Në një postim në facebook, Beshku shkruan se sa më shumë sukses kishte libri nëpër botë, aq më shumë ngrihej vala e urrejtjes kundër autores në Shqipëri.

Sipas pedagoges gjurmët e diktaturës për të cilën Lea fliste në libër, janë ende të gjalla. Në mesazhin drejtuar akademikes, Klodiana e inkurajon që të mos mërzitet nga këto, por të tregojë durim, derisa koha të tregojë vlerat e këtij libri.    

Postimi i plotë i Klodiana Beshkut:

E kam lexuar me shumë ëndje librin e Lea Ypit "Të lirë". Kam qarë e kam qeshur me pasazhe të ndryshme që përshkruheshin aty, saqë në një moment mu duk sikur e njihja Lean prej kohësh (efekt që pak shkrimtarë më kanë bërë gjatë jetës time). Me Lean mu duk sikur të ishim rritur bashkë, veçse ajo në Durrës e unë në Tiranë. Sipas përshkrimeve të saj në libër, ajo duhet të jetë diku tek 2-3 vite më e madhe se unë. Ndoshta prej gjeneratës X, njëfarë gjenialitetit të hershëm fëminor apo jetesës herët në Europë, mu duk të kishim kaluar të njëjtat konflikte të brendshme e të adhuronim marksizmin si filozofia më e bukur e çdo kohe ndonëse utopike, pa e ngatërruar aspak me diktaturat e totalitarizmat që e përdorën këtë filozofi si justifikim për prapësitë e tyre. Ndërkohë në Shqipëri plasi mllefi (jo kritika).

Sa më shumë sukses kishte libri nëpër botë, aq më shumë ngrihej vala e urrejtjes kundër autores. Ajo dhe e ushqente vetë këtë valë duke përcjellë e publikuar çdo sukses të librit nëpër botë, duke harruar se sa i çmend kjo gjë bashkëqytetarët e saj. Lea ndoshta kishte harruar në këto vite jashtë Shqipërisë se gjurmët e diktaturës për të cilën ajo fliste në libër, janë ende të gjalla: Qytetarët e një regjimi i cili propagandoi barazinë e homogjenitetin në çdo aspekt të jetës, nuk mundet papritur të kthehen në qytetarë të cilët e pranojnë pa komplekse suksesin e dikujt; Pasardhësit e një regjimi që injektoi hipokrizinë në çdo qelizë, nuk mund papritur të çmojnë sinqeritetin në të folur e në të shkruar të dikujt; Qytetarët e një regjimi ku mësohej dogmatizmi e jo abstragimi e filozofimi, nuk mundet papritur të kuptojnë librin e saj.

Ndaj i them autores të mos mërzitet, por të ketë durim e të presë derisa koha të tregojë vlerat e këtij libri ose që një pjesë e mirë e shoqërisë shqiptare të emancipohet deri në nivelin e duhur për ta kuptuar atë (jo medoemos pëlqyer) ose thjesht për ta lexuar nga fillimi deri në fund. Mbi të gjitha e falënderoj pafund për faktin se i bëri të pavdekshme lojrat me cingla, shkëmbimet me letra çamçakizash, kanoçet e Coca Cola-s sipër televizorave dhe bullizmin që përjetonin atëherë ata që ishin ndryshe e me sa duket e përjetojnë dhe sot.

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll