Kolegji i Posaçëm i Apelimit pritet të marrë sot vendimin për drejtuesen e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj.
Kjo është seanca e fundit në KPA, pas tre seancave të mëparshme gjyqësore ku Imeraj parashtroi provat e saj dhe pretendimet për parregullsi në procesin e apelimit.
Kujtojmë se Imeraj u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por vendimi u apelua nga përfaqësuesit e ONM-së në KPA.
Imeraj, e cila njihet si prokurorja që arrestoi nëntë persona për terrorizëm si dhe hetoi një sërë çështjesh të mëdha duke u vënë përballë politikës dhe krimit të organizuar, është shprehur se kërkon transparencë nga trupa e KPA.
“Unë vij këtu me një vendim konfirmimi në detyrë, por për hir të transparencës, si dhe besimit tek publiku i kërkoj kësaj trupe hetim të detajuar për çdo pretendim të ngritur”, është shprehur Imeraj.
Prokurorja Elisabeta Imeraj ka bërë me dije se në procesin e saj të rivlerësimit është përdorur një akt i falsifikuar që ka shërbyer si shkak për ankimin në KPA. Imeraj ka insistuar që përveç kërkimeve të institucionit, të kryhen edhe hetime në prokruori për të evidentuar çdo akuzë të ngritur ndaj saj.