
Dy persona kanë rënë në pranga në Vaun e dejës në Shkodër pasi gjatë një kontrolli të ushtruar nga policia në makinën e tyre u gjet një pako me një pako me 1000 fara cannabisi.
Kristjan Kasneci dhe Françesk Malaj po udhëtonin me makinë në fshatin Kryebushat, kur u ndaluan nga policia. Gjithashtu brenda automjetit u gjet një sasi lënde narkotike kokainë, e ndarë në doza me qëllim shitjen e tyre.
Policia:
“Në vijim të kontrolleve të bazuara në inteligjencën policore dhe të kryera në kuadër të megaoperacionit antidrogë të koduar “Tempulli 2”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në fshatin Kryebushat, i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit tip “Opel”, me drejtues shtetasin F. M. dhe pasagjer shtetasin K. K.
Nga kontrollet fizike ndaj 2 shtetasve dhe në automjet, shërbimet e Policisë gjetën një pako me 1000 fara cannabisi dhe një sasi lënde narkotike kokainë, të ndarë në doza, që posedoheshin nga këta shtetas, me qëllim shitjen.
Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestuan në flagrancë shtetasit F. M., 26 vjeç, banues në fshatin Bogë dhe K. K., 37 vjeç, banues në Shkodër”