Gjykata e Durrësit ka lënë në burg Elson Rrodhen, shoferin e autobusit të linjës Bari-Durrës, ku dy ditë më parë u gjetën të fshehura 100 mijë euro.
Ai ka mohuar para gjykatës që të ketë dijeni për paratë e fshehura në tavanin e autobusit, duke pretenduar se thjesht kryente punën e shoferit.
“Nuk jam në dijeni, jam thjesht shofer”, ka thënë Rrodhe.
Kujtojmë se dy ditë më parë gjatë operacionit, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të detajuar, një autobus tip “Scania” i linjës Durrës-Bari-Durrës.
Gjatë kontrollit të imtësishëm në autobus,në pjesën e tavanit janë gjetur 8 paketime me kartëmonedha në euro, gjithësej 99 700 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.