Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e rëndë që u shënua ditën e djeshme në Peqin, ku u gjet i vrarë Alban Semaku.
Alban Semaku, 38 vjeç, banues në Lushnje, njihet si një nga ish-anëtarët e bandës së Aldo Bares dhe si një person me precedentë të mëparshëm penal.
Burime për media bëjnë me dije se Semakut i është ngritur kurth dhe se persona të njohur për të e kanë nxjerrë në pritë, ku më pas dyshohet se është ekzekutuar.
Ai mendohet se është vrarë në një vend tjetër dhe më pas është hedhur në Peqin. Dyshohet se vrasja ka ndodhur për larje hesapesh. Ndërkohë hetuesit kanë sekuestruar dhjetëra kamera sigurie në aksin Lushnje-Rrogozhine-Peqin.
Policia bën me dije se viktima deri në vitin 2011 mbante emrin Elton Mermali. Në vitin 2006, ky shtetas është ekstraduar nga Italia, pasi Gjykata e Lushnjës, me vendimin e datës 28.08.2003 i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja”, ndodhur në qytetin e Lushnjës, kryer në kuadër të organizatës kriminale të Lushnjës.
Po kjo nuk është e vetmja vepër penale. Vite më parë në vitin 1998, dyshohet si autor i një vrasje të dyfishtë. Sipas dosjes hetimore të bandës së Lushnjes, ai së bashku me shtetasit Petrit Liçi dhe Erjon Kashari kanë ekzekutuar Artan Sulçen dhe Bledar Haxhiun.