Prokuroria e Lushnjës ka nisur hetimet për vdekjen e shtetasit spanjoll Francesko Servia, i cili më 21 mars u vetëplagos me mjet prerës në dush në ambientet e një hoteli në fshatin Karavasta të Divjakës.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë ka regjistruar procedimin penal nr. 146, të vitit 2023, për veprat penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal, pa autor, lidhur me vdekjen e shtetasit spanjoll Francisco Javier Carraso Cervilla. Ky procedim penal ka filluar mbi bazën e materialeve të dërguara nga Komisariati i Policisë Divjakë.
Regjistrimi i këtij procedimi penal është bërë me qëllim kryerjen e një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm për dinamikën dhe shkaqet e ngjarjes. Ky procedim është në fazën fillestare të tij dhe nisur nga natyra e çështjes janë kryer veprimet e plota hetimore që konsistojnë në këqyrjen e vendit të ngjarjes, sekuestrimin e provave materiale dhe këqyrjen e tyre, janë marrë vendimet e nevojshme të ekspertimit, janë pyetur persona që kanë dijeni për ngjarjen”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
47 vjeçari i cili punonte në zonë si specialist për montimin e paisjeve në sera u gjet nga shoku i tij Oskar Velasko teksa kishte prerë damarët.
I alarmuar 41- vjeçari njoftoi njerëzit e tjerë të godinës ku ishin akomoduar. Në vendngjarje mbërritën menjëherë policia dhe ambulanca të cilët e transportuan drejt Tiranës pa shenja jete. Shoku i tij i dhomës , 41- vjecari Oskar Velasko në dëshminë e tij në polici deklaroi se së fundi 47- vjeçari kishte shfaqur shenja depresioni dhe nervozizmi për shkak të mosmarreveshjeve me bashkëshorten e cila ndodhet në Spanjë,por që kurrsesi nuk e mendonte se do te arrinte në këtë akt ekstrem. Ndërkohë, në qafën e 47 vjeçarit u konstatuan shenja.