Dy efektivë të Policisë në Lezhë janë pezulluar nga detyra, pasi janë filmuar duke marrë ryshfet (para), gjatë ndalimit të automjeteve.
Tashmë ndaj tyre ka nisur hetimi për veprën penale “korrupsion”, pasi në rrjete sociale u publikua një video ku duket se dy policët marrin para nga drejtuesit e mjeteve që ata kanë ndaluar.
Video e marrë nga: facebook.com/joqalbania/
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë:
Në lidhje me një video të publikuar në portalin “JOQ”, në të cilën shfaqen 2 punonjës policie të filmuar nga një qytetar, të cilët dyshohet se gjatë ndalimit të automjeteve, mund të kenë përfituar në mënyrë të kundërligjshme, vlera monetare, ju sqarojmë se:
Menjëherë pas publikimit të kësaj video-je, është bërë identifikimi i 2 punonjësve të Policisë që shfaqen në të, konkretisht inspektor A. Ç. dhe inspektor K. Ll., punonjës të Patrullës së Përgjithshme të Stacionit të Policisë Shëngjin/Komisariati i Policisë Lezhë.
Të dy këta punonjës policie janë pezulluar menjëherë nga drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe ndaj tyre Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, ka nisur hetim administrativ, për shkelje të rëndë të procedurës standarde të punës.
Policia e Shtetit falënderon qytetarët dhe median që denoncojnë raste të tilla, si dhe i siguron ata se është e vendosur për të larguar nga radhët e saj, cilindo punonjës që do të abuzojë me detyrën.