Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Falsifikim në bashkëpunim me zyrtarë shtetërorë, GJKKO sekuestron 66 mijë m2 tokë në Lezhë

Shkruar nga Newsbomb
Falsifikim në bashkëpunim me zyrtarë shtetërorë, GJKKO

Gjykata Speciale ka vendosur sekuestro ndaj 66 mijë metër katror tokë në disa zona të Lezhës, pas dyshimeve se janë tjetërsuar përmes falsifikimit të dokumenteve nga zyrtarë të Bashkisë.

Me kërkesë të SPAK, GJKKO ka vendosur sekuestro ndaj dy sipërfaqeve 8 mijë dhe 1 mijë metër katror në Ishull të Lezhës si dhe përafërsisht 27 mijë dhe 30 mijë m2 sipërfaqe në Malin e Rencit.

Për tjetërsimin e sipërfaqes në Malin e Rencit në Lezhë u dënua me katër vite burg ish-kryebashkiaku i Fran Frrokaj si dhe disa zyrtarë të tjerë lokalë. Po ashtu për tjetërsim pronash në këtë zonë janë dënuar më herët familjarët e ish-deputetit Arben Ndoka.

Sipas SPAK, të përfshirët në përfitimin e tokave akuzohen për grup të strukturuar kriminal, trafik narkotikësh dhe vepra të tjera penale.

NJOFTIM PËR SHTYP NGA SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me datë 20.12.2019 ka regjistruar procedimin penal nr.29, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283, 283/a, 333/a, dhe 334 i Kodit Penal.

Gjatë hetimit të këtij procedimi penal ka rezultuar se disa shtetas në bashkëpunim me njëri tjetrin dhe në bashkëpunim me zyrtarë shtetërorë, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara dhe veprimeve të tjera të  kundërligjshme, kanë përfituar në mënyrë të paligjshme një sipërfaqe prej 66 000 m2 tokë në disa zona bregdetare në Lezhë, me një vlerë prej rreth 13 milion euro. Këto prona kanë rezultuar se janë produkt i veprave penale të përshkruara më sipër.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur kërkesë për vendosjen e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për këto pasuri dhe nga ana e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.345 datë 28.07.2022, është vendosur :

Pranimi i kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Vendosjen e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi pasuritë si më poshtë:

  1. Pasuria e paluajtshme e llojit “tokë arë”, me sipërfaqe 8000 m2, Ishull Lezhë.
  2. Pasuria e paluajtshme e llojit “tokë arë”, me sipërfaqe 1148 m2, Ishull Lezhë.
  3. Pasuria e paluajtshme e llojit “tokë arë”, me sipërfaqe totale prej 27,009.80 m2, me adresë në Mali Rencit, Lezhë.
  4. Pasuria e paluajtshme lloji i pasurisë “tokë arë”, me sipërfaqe totale prej 30,663.70 m2, me adresë në Mali Rencit, Lezhë.

Hetimet lidhur me këtë procedim penal vazhdojnë.

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll