Policia Rrugore e Tiranës vijon kontrollet e dedikuara për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit, që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore. Gjatë 24 orëve të fundit, janë goditur 5 raste të mit-dhënies, me qëllim shmangien e gjobës.
Gjatë kontrolleve parandaluese, shërbimet e Policisë Rrugore kanë konstatuar në shkelje automjetet me drejtues shtetasit A. D., 26 vjeç, M. R., 34 vjeç, A. R., 44 vjeç, J. M., 46 vjeç, dhe S. S., 46 vjeç. Me qëllim shmangien e masave administrative për shkeljet e kryera, këta shtetas i kanë ofruar punonjësve të Policisë, shuma të ndryshme parash.
Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për këta 5 shtetas, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë në mënyrë rigoroze rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.