Hapësire reklamuese

Aktualitet

U deportua sot nga Amerika, kush është Tomor Çela: Ish-polici që vrau dy të rinjtë në 1997, i përplasën Benzin 240-ç

Shkruar nga Newsbomb

Tomor Çela, një 56 vjeçar nga Tirana, është ekstraduar sot nga Amerika dhe do të gjykohet në vendin tonë për një vrasje të ndodhur në vitin 1997, shkruan newsbomb.al. Në atë kohë punonjës policie, Çela ka vrarë dy të rinj në rrugën "Bajram Curri".

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, me vendimin e datës 24.02.2014, e ka dënuar me 23 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Foto e 56 vjeçarit është publikuar dhe nga vetë Policia e Shtetit, si një ndër personat më të kërkuar nga shteti shqiptar. Madje, në njoftim, ai shfaqet me uniformën e Policisë, të cilën e mbante veshur në vitin 1997 kur kreu vrasjen.

Si ka ndodhur ngjarja 25 vite më parë, në Tiranë

Më 27 Nëntor 1997, Tomor Çela ishte duke lëvizur në rrugën "Bajram Curri" në kryeqytet me mjetin e tij, një Mercedes Benz 240-ç, kur është përplasur me një makinë tjetër. Mjeti i dytë drejtohej nga i riu Ledian Hoxha dhe pasagjer ishte shoku i tij, Elton Dani.

Dy shoferët kanë nisur të debatojnë pas aksidentit. Ish-polici Tomor Çela ka nxjerr armën e zjarrit dhe ka qëlluar drejt dy të rinjve, duke i lënë të vdekur në vend, shkruan newsbomb.al. Menjëherë ai është larguar nga vendi i ngjarjes, bashkë me të vëllanë.

Në vitin 2009, Gjykata e Tiranës e ka shpallur fajtor 56 vjeçarin dhe e ka dënuar me 23 vite burg. Ky vendim i shkallës së parë është ankimuar në Apel, por togat e zeza nuk kanë ndryshuar vendim, duke lënë në fuqi dënimin me 23 vite burg.

Dosja është dërguar në shkallën e fundit në drejtësisë, në Gjykatën e Lartë, e cili në vitin 2011 ka kërkuar që ajo të rigjykohet. Megjithatë, Tomor Çela do të mbahet në burg deri në vendosjen e një dënimi përfundimtar, për vrasjen e Ledian Hoxhës dhe Elton Danit.

Si rezultat i një operacioni 1-vjeçar, të kryer në bashkëpunim nga Interpol Tirana me Zyrën e Hetimeve Kriminale pranë Shërbimit Diplomatik të Sigurisë në Ambasadën e SHBA në Tiranë (DSS), sot u bë i mundur deportimi nga Amerika drejt vendit tonë, për t’u përballur me organet shqiptare të drejtësisë.

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll