Opozita maqedonase dhe faktorë të tjerë maqedonas po përpiqen ta pengojnë zbatimin e ligjit të gjuhës shqipe duke ngritur padi kundër personave dhe organeve që e vunë në fuqi atë dhe me nisma për vleresimin e ligjit nga Gjykata Kushtetuese.
Ndërsa, qeveria thotë se maqedonishtja është gjuhë e vetme zyrtare në të gjithë territorin e vendit, dhe se me anë të ligjit do t’i jepet fund nacionalizmit në vend.
Faktorë dhe individë maqedonas me qëndrime nacionaliste po përpiqen ta pengojnë zbatimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve që para pak ditësh u botua në Gazetën zyrtare, duke hyrë kështu në fuqi, e që i lejon një shtrirje të gjerë gjuhës shqipe.
Partia opozitare VMRO-DPMNE ka paraqitur padi në gjykatë kundër kryetarit të parlamentit, Talat Xhaferi dhe sekretarit teknik të parlamentit e drejtorit të Gazetës zyrtare, sepse ligji u botua pa nënshkrimin e presidentit Gjorgje Ivanov, “një akt ky kundër-kushtetues”, sipas VMRO-së. Partia paralajmëron edhe ankimin para Gjykatës Kushtetuese për ligjin. Ndërkohë, këtë tashmë e ka bërë një ish-eksponent i VMRO-së, Jove Kekenovski, i cili në opinionin publik të këtushëm njihet si analist politik.
“Gjykata Kushtetuese duhet ta ketë parasysh edhe faktin se ligji nuk u nënshkrua nga presidenti i Maqedonisë”, thotë Kekenovski duke vërejtur se ligji qe miratuar me 69 vota dhe jo me dy të tretat në parlamentin prej 120 vendesh.
Ndërkohë, Qeveria e Maqedonisë përmes një komunikate thekson se gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik mbetet gjuha e vetme zyrtare në të gjithë territorin e vendit dhe në marrëdhiënet ndërkombëtare, ndërsa “ligji i gjuhëve i avancon të drejtat e të gjitha komuniteteve joshumicë”. Nuk do të ketë punësime të reja për ta zbatuar ligjin, bën të ditur qeveria duke i hedhur poshtë spekulimet e opozitës maqedonase për shpenzime shtesë të buxhetit.
Agjencia për zbatimin e ligjit të gjuhëve që do të themelohet do të pajiset me burime njerëzore nga ministritë, agjencitë dhe sekretariatet ekzistuese. Qeveria thekson se me ligjin e përdorimit të gjuhëve i jep fund nacionalizmit, ndërsa avancon të drejtat dhe nevojat e çdo qytetari të të gjitha komuniteteve.
Nga ana tjetër, partitë politike shqiptare thonë se shqipja do të jetë gjuhë e dytë zyrtare në të gjithë Maqedoninë. Në të vërtetë, ligji i ri lejon përdorimin e gjuhës së një komuniteti që përbën më tepër se 20 për qind në pothuaj se të gjitha pushtetet, që nga ai qendror, gjyqësor e deri tek ai lokal, por jo në ushtri; shqipja nuk do të figurojë as në banknotat e këtij vendi./VOA