Gjashtë aktivistët e Partisë Socialdemokrate (PSD), përfshirë kryetarin e kësaj partie Dardan Molliqaj, u arrestuan në 29 nëntor dhe shkak ishte vizita e kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova .
Dardan Molliqaj dhe 5 aktivistët e tjerë, Zgjim Hyseni, Nol Nushi, Korab Korça, Agron Kabashi e Gent Ibrahimi janë liruar këtë të premte. Lajmi për lirimin e tyre është bërë i ditur nga vetë kryetari i PSD-së në një postim në Facebook.
“Unë, Zgjimi, Noli, Agroni, Korabi e Genti sapo u liruam. Dhuna jo-proporcionale e policore u pa. Ajo nuk ka justifikim. Duke u munduar t’i dëshmohen kryetares së gjykatës, u vendosëm padrejtësisht në mbajtje dhe ngarkohemi për gjëra të paqena. Këtë e di Gjykata, por qëllimi ishte që ne të izoloheshim për sa kohë që Trendafilova është në Kosovë. Kjo nuk ka lidhje me drejtësi”, - ka shkruar Molliqaj.
Ai ka akuzuar Gjykatën në Hagë se “sa më tepër që po mundohet ta rregullojë imazhin, aq më tepër po del në pah sa politike dhe antiUÇK”.
“E vërteta nuk lejon makiazhin. Maskë nuk ka më. Ajo u pa. Ju faleminderit shumë për mbështetjen e treguar”, përfundon postimi i Molliqajt
Lexo këtu: “Tym e arrestime,” protestë ndaj vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale në Kosovë
Arrestimi i Dardan Molliqaj më 29 Nëntor