Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka liruar këtë të enjte partneren e Laert Haxhiut, Klea Gjatën. GJKKO vendosi ndaj saj masën ndalim i daljes jashtë shtetit.
Klea Gjata u arrestua në shator të vitit të kaluar pas dëshmive të Artan Tafanit, i cili u kthye në "pentiton" e drejtësisë dhe zuloi vrasjet e Çajup Selimit, Alban Semakut, Albi Bashaliut, Lulzim Qorrit, Fridmand Xhaferraj dhe Dikens Halilit. Pas dëshmisë së Tafanit u lëshuan 15 urdhër-arreste, ku mes të arrestuarëve në këtë operacion ishte edhe Klea Gjata,
Artan Tafani tregoi se Klea Gjata, 27-vjeçarja, ka dijeni thuajse për çdo lëvizje dhe krim të Laert Haxhiut, ndaj dhe Prokuroria urdhëroi arrestimin e saj për akuzën e “Moskallëzimit të krimit” dhe “Përkrahjes së autorit të krimit”. Implikimi i Klea Gjatës me vrasësin Laert Haxhiu, lidhet jo vetëm nga dëshmia e Artan Tafanit, por dhe nga telefoni i saj.
Më herët kemi raportuar se Klea Gjatës gjatë arrestimit iu sekuestruan dy aparate telefonike ku nga këqyrja e tyre rezultoi se vajza nga Lushnja atë ditë dhe në ditët e tjera, fliste në telefon në mënyrë të vazhdueshme me Laert Haxhiun. Vrasësi nga Lushnja rezulton se ka folur çdo ditë me Klea Gjatën nga burgu grek ku ndodhet aktualisht. Për t’u mbuluar gjurmët rreth aktivitetit të saj, vajza kishte hapur një dyqan shitje rrobash në Lushnjë.
Të gjitha këto biseda të bërë në aplikacionin “WhatsApp” dhe aplikacione të tjera, janë në dorë të prokurorëve dhe administruar në dosjen hetimore, ku pritet që tii kalojë për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Posaçme.
“…nga materiali hetimor i administruar rezulton se personi nën hetim Klea Gjata, ka patur dijeni për veprimtarinë kriminale të personit nën hetim, Laert Haxhiu, si dhe të personave të tjerë. Nga ana e saj nuk është kryer asnjë veprim për kallëzimin e këtyre krimeve në organet kompetente. Rezulton se nga kqyrja e telefonit të sekuestruar kësaj shtetase, ajo ka komunikime me personin nën hetim Laert Haxhiu.
Po ashtu rezulton se Klea Gjata, ka lëvizur me të njëjtin automjet me këtë person nën hetim dhe ka pasur dijeni mbi faktin se ai ka qenë i armatosur. Klea Gjata, rezulton që ka qenë në të njëjtin automjet me Laert Haxhiun, në momentin kur kanë marrë në makinë autorin e këtyre veprave penale të quajtur Artan Tafani…”-thuhej në dosjen e Prokurorisë së Elbasanit.