Masa të rrepta sigurie janë marrë në Portin e Durrësit pas informacioneve se shqiptari Roland Dedja, i cili një ditë më parë u arratis në mënyrë spektakolare nga burgu italian, do të kthehet në atdhe.
Burime për ABC News, bëjnë me dije se autoritetet shqiptare janë lajmëruar nga homologët italiane për dyshimet që kanë lidhur me kthimin e Dedjës në Shqipëri. Për këtë arsye, në Portin e Durrësit janë shtuar masat e sigurisë si dhe thuhet se vëmendja është maksimale.
Kujtojmë se ditën e djeshme Roland Dedja u bë kryefjala e mediave italiane, njëjtë dhe atyre shqiptare. Arratisja spektakolare e shqiptarit nga burgu i Teramos, në Itali, zuri faqet e para të mediumeve në vendin fqinj si dhe ngriti në “këmbë”autoritetet. Ditën e djeshme u tha se shqiptari u ndihmua nga një dron, për të realizuar arratisjen e tij spektakolare.
Dedja ndodhej në burg me akuzën për vrasjen e një bashkëkombasi të tij në Brescia. Kjo nuk ësht hera e parë që 39-vjeçari ka arritur të arratiset nga burgu. Në vitin 2010 ai arriti të arratisej nga burgu i Pizës, ku akuzohej për vrasje dhe tentativë vrasjeje.
Ai u arratis së bashku me një të burgosur tjetër, Bledar Shehun. Aventuara e tyre mori fund dy muaj pasi u arratisën. Roland Dedja është akuzuar dhe për vrasjen e të fortit të Vlorës, Shpëtim Çupa. Ngjarja ndodhi më 23 shkurt 2010 ku asoj kohe Dedja u akuzua se qëlloi me pistoletë 44-vjeçarin në parkimin e një lokali.
Sipas hetuesve asoj kohe u tha se Çupa ishte vrarë pas një grindjeje që kishte shpërthyer në një lokal për disa vlerësime të bëra ndaj vajzave të Lindjes, me të cilat shoqëroheshin një grup shqiptarësh, mes të cilëve edhe Dedja. Disa dëshmitarë fillimisht treguan se kishin parë Dedjën me pistoletë në dorë, por që të gjithë ndërruan version në gjyq dhe shqiptari u shpalli pafajshëm nga Gjykata e Brecjas.