Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

U arratis dy herë nga burgu në Itali, "UFO-ja" prangoset në Tiranë dhe pritet të ekstradohet

Shkruar nga Newsbomb
U arratis dy herë nga burgu në Itali, "UFO-ja" prangoset
Ilir Paja, është arrestuar pasditen e sotme në Laprakë për llogari të drejtësisë italiane. I njohur nga autoritetet në vendin fqinj me nofkën “Ufo”, për shkak të dy arratisjeve nga burgje të sigurisë së lartë, ai u lirua me kusht nga Gjykata e Krujës në 2017. Pas këtij vendimi, qëndronte gjyqtarja e arrestuar Enkelejda Hoxha, e njohur për lirimin e kriminelëve nga burgu, edhe të atyre të dënuar përjetë. Ajo e la të lirë Ilir Pajën me argumentin se vuante nga disa sëmundje, ndonëse kishte edhe një vit burg për të shlyer. Mediat raportojnë se "UFO-ja" është prangosur sot në Tiranë dhe pritet t'u dorëzohet autoriteteve italiane. Ai vuante një dënim për “plagosje të rëndë me dashje” të policit Blendi Haxhimiali, gjatë operacionit për arrestimin e tij, në mars 2008, në Tiranë. Paja u akuzua dhe për disa vepra penale të kryera në territorin italian, mes të cilave edhe “vrasje me dashje të mbetur në tentativë në bashkëpunim”, “rrëmbim dhe mbajtje peng të personit” dhe “marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura”. Ndonëse ai u arrestua në Itali, pas disa muajsh dënim, në qershorit 2006, ai ka mundur të arratiset nga paraburgimi i Perugia-s, duke përdorur çarçafët si litar, deri në arrestimin e tij të dytë, më 4 shtator 2006. Shqiptari ishte burgosur prej 5 muajsh në pritje të ekstradimit nga Gjermania, ku akuzohej për vrasjen e një shqiptari tjetër në Duisburg. Ai u ndalua në Itali dhe ndaj tij u shtua edhe akuza për shfrytëzim prostitucioni. Por ai ka mundur të ikë sërish nga burgu, në 14 gusht të 2007-ën, ndërsa policia ishte duke e transportuar me ambulancë, për shkak se i dënuari ishte në gjendje shumë të rëndë psikologjike dhe kishte tentuar disa herë vetëvrasjen. Kësaj here kishte bërë si i sëmurë psikik dhe kur e kishin transportuar me ambulancë kishte filluar të rënkonte e të tërhiqte vëmendjen e policit kryesor. Kur ky është afruar, Paja i ka dhënë një grusht në fytyrë. Më pas ka hapur derën e autoambulancës dhe është larguar me vrap, ku ka kapërcyer një mur të lartë dhe ka ndjekur linjën e trenit. Edhe pse policët kanë qëlluar në ajër, nuk ka ndaluar. Më pas është futur në një pyll dhe është zhdukur. Pas arratisjes së dytë në Itali, Ilir Paja është kthyer në Tiranë, ku jetonte i fshehur dhe është arrestuar sërish. "UFO-ja" qëndroi 10 vite në qeli deri ditën që u lirua nga ish-gjyqtarja Enkeleda Hoxha. Gjiashtu, ai është akuzuar dhe si autori i vrasjes së një shtetasi nga Ekuadori dhe plagosjes së një tjetri, pas një grindjeje që kishte për motiv ngacmimin e një femre ekuadoriane, në kohën që ajo ishte me bashkëshortin e saj. Një tjetër episod i rëndë, sipas akuzës, ishte ai i dhunimit seksual të një 19-vjeçareje rumune.

Njoftimi i Policisë së Shtetit, Njësia Speciale Fast Albania

Në vijim të punës për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Njësia Speciale “Fast Albania”, bazuar dhe në inteligjencën informative, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Dangerous”. Si rezultat i këtij operacioni u bë e mundur kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimi drejt Italisë i shtetasit  Ilir Paja, 49 vjec, banues në Tiranë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar si person shumë i kërkuar nga autoritetet Italiane pasi Gjykata e Apelit Milano/Itali, e ka dënuar me 25 vjet e 4 muaj burgim për vrasje, kryer në bashkëpunim dhe rrëmbim personi. Lokalizimi dhe kapja e 49-vjeçarit u bë në Laprakë nga Njësia Speciale "Fast Albania", në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë. Interpol Tirana në bashkëpunim me homologët italianë vijon punën për plotësimin e dokumentacionit me qëllim ekstradmin e 49-vjeçarit drejt Italisë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese