I pandehuri që u ndalua nga policia pas denoncimit për kërcënim nga kryetari i Bashkisë së Korçës, tani nuk ka më asnjë çështje kundër. I liruar para pak ditësh me “detyrim paraqitje” tashëm Prokuroria ka vendosur të pushojë krejtësisht çështjen ndaj Petrit Xhelollarit, 59 vjeç.
“Prokuroria e Korçës e nxorri protestuesin e famshëm të Korçës kundër Bashkisë Petrit Xhelollarin të pafajshëm! Ai u arrestua 2 muaj më parë nga Policia me urdhër të Kryetarit të Bashkisë Korçë! E nxorri nga arresti me burg me Vendim të Gjykatës duke u shpallur i paligjshëm arrestimi! SOT ÇËSHTJA U PUSHUA EDHE NGA PROKURORIA! Tani do hedhim në gjyq policinë për dëmtim imazhi! Sepse jo vetëm e arrestoi në kundërshtim me ligjin por edhe mashtroi publikisht mediat duke dhënë info të rreme 24 orë para se të jepej vendimi i gjykatës” tha avokati i Xhelollarit.
Gjykata e Korçës kishte vendosur para pak javësh masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje” për Petrit Xhelollarin, i akuzuar se ka kërcënuar kryetarin e Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filon. Trupa gjyqësore kishte pranuar kërkesën e prokurorisë por tani është detyruar të lirojë nga akuzat përfundimisht Xhelollarin. Ky i fundit prej vitesh jeton në SHBA, por ka një banesë në Korçë që rrezikohet t’i prishet.