Turqia nuk e ka kapërdirë lehtë deklaratën e kreut të Këshillit Europian, Donald Tusk, i cili mbajti hapur anën e Hollandës në konfliktin që ka përfshirë dy shtetet. Për të bërë diferencën mes dy popujve dhe dy kulturave, Tusk u shpreh se “Hollanda është Europë dhe Europa është Hollandë”.
Sot, ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu ka folur për luftën që i druhen më shumë europianët, por edhe popujt e tjerë në botë. Cavusoglu deklaroi gjatë një tubimi në Antalia se lufta mes feve do të nisë shumë shpejtë në Europë.
“Nuk ka asnjë diferencë në mendësinë e Geert Wilders dhe social demokratëve në Hollandë. Ata kanë të gjithë një mendësi. Kjo mendësi do e rrëzojë Europën nga shkëmbinjtë. Shumë shpejtë lufta mes feve mund dhe do të nisë në Europë”, tha ministri i jashtëm turk.
Kjo deklaratë pritet të nxisë reagime në Europë por edhe në SHBA.