
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka njoftuar zbulimin e një rezervati të madh me gaz natyror në brigjet e Detit të Zi, duke thënë se kjo do të krijojë një epokë të re për vendin, që pjesën më të madhe të energjisë e importon.
Erdogan tha se sasia e gazit të zbuluar është 320 miliardë metra kub, duke shtuar se ai shpreson të fillojë nxjerrjen dhe përdorimin e gazit deri në vitin 2023.
Nëse konfirmohen si burime të rikuperueshme, rezervat mund të lehtësojnë varësinë e vendit nga importet e kushtueshme të energjisë dhe mund të forcojnë monedhën vendase, e cial kohët e fundit ka qenë në rënie të lirë.
Anija e shpimit turk, Fatih, kishte kryer operacione eksplorimi në sektorin Tuna-1 në Detin e Zi perëndimor muajin e kaluar, sektor i cili është afër me vendin ku Rumania ka gjetur rezerva të gazit.
Ky zbulim i madh i turqve vjen pas tensioneve mes tyre dhe Greqisë, për kërkimet që Turqia po zhvillon edhe në Mesdhe, kërkime të cilat sipas Erdogan nuk do të ndalin edhe pas kësaj gjetje të rëndësishme nga turqit.