Hapësire reklamuese

Aktualitet

TURIZMI NË KOHË PANDEMIE/ Jugu përballë leksioneve që po i jep Durrësi

Shkruar nga Newsbomb

Nga Anta Muçaku

E kemi parathënë që në prag të sezonit turistik se pandemia do të ishte një provë edhe për turizmin vendas.

Kjo ishte mundësia e artë për shërbimet vendase të hoteleri-turizmit për të na treguar të gjithëve se në Shqipëri mund të bëhen pushime që ç’ke me të!

Dhe teksa ngadalë po i afrohemi fund-sezonit, sepse për fat të keq te ne turizmi mbaron me gushtin, nga përshtypjet e para duket se nuk ia kemi dalë sërish të ofrojmë një standard të lartë shërbimi.

Jugu vazhdon të jetë “sa për një fundjavë”! Hotelet që gëzojnë së paku kushtet higjienike, fillojnë nga 120 euro nata ndërsa edhe ato dhoma që s’janë gje tjetër veçse fjetore, nisin nga 50 euro nata.

Eurot i njohin mirë por shërbimin për fat të keq ende jo. Nuk ke asgjë të përfshirë në të dhe je shumë me fat nëse shërbehet ndonjë mëngjes modest. Mungojnë ambientet e bollshme, aktivitetet, sportet e mbi të gjitha kultura e trajtimit të turistit. Maksimumi që gjen është një skaf në det për një xhiro 100 euroshe. Për të mos folur pastaj për fëmijët... Fëmijët janë kategoria e përjashtuar tërësisht nga shërbimi i turizmit. Përveçse nuk e gjen askund një kuzhinë të dedikuar për të, nuk ka asnjë lloj mundësie që ai të argëtohet.

Mungojnë këndet e lojërave, mungojnë aktivitetet e gjithçka tjetër që mund t’i relaksojë. I vetmi ngushëllim për ta është deti që nga ana tjetër kërkon njërin prej prindërve t’i rrijë orë e sekondë nga pas.

Mundësia tjetër, e trishtë por e vetmja mundësi, është kafja. E ç’mund të bëjë një fëmijë me pushime ulur në kafe për orë të tëra?!!

Jugu deri tani duket se është kujdesur t’u shërbejë vetëm të rinjve, e specifikisht atyre që pushimet i kalojnë mes diskove verore, shisheve të shampanjës, purove, dergjies në shezlone e fotove “like a boss”!

E teksa Jugu i bekuar nga Zoti e natyra për bukuritë që s’kanë kurrë të sosur nuk po di ende të mirëtrajtojë turistin përmes shërbimit, Durrësi i goditur edhe nga tërmeti i 26 nëntorit, duket se po lëviz shpejt.

Kohët e fundit, hoteleri-turizmi në gjithë vijën bregdetare të Durrësit, ka një tjetër qasje.

Puna dhe eksperienca me turistët e huaj e kryesisht ata të vendeve nordike, i ka bërë investitorët të reflektojnë dhe të ofrojnë cilësi të lartë shërbimi.

Një nga pionerët e Turizmit, Fatos Çerenishti është i pari që ka pikasur, duke studiuar sjelljen e turistëve çekë e polakë, atë që i duhet turizmit.

Çerenishti, investitori i fuqishëm i ‘Fafa-s’ ka implementuar përgjatë bregdetit të Durrësit dhe Golemit modelin e huaj të shërbimit sipas të cilit ti nuk ke pse merr gjithë shtëpinë me vete kur ikën me pushime, nuk ke pse paguan as sa qimet e kokës për disa ditë pushime.

Fëmijët janë tërësisht në qendër të vëmendjes me kuzhinë e aktivitete të dedikuara teksa gjithmonë është dikush aty që e survejon për ty.

Mirëpo përballë kësaj qasje të re shërbimi, sfida e madhe që i mbetet Durrësit është menaxhimi i fluksit.

Nëse Durrësi do t’ia dalë të menaxhojë fluksin duke ruajtur në të njëjtën kohë edhe standartin e shërbimit, atëhere me siguri, investitorët e jugut do vijnë të marrin ‘leksione’ nga miqtë e tyre të qytetit antik.

Përndryshe, nëse vazhdohet me të njëjtën mendësi, Jugu do boshatiset gjithnjë e më shumë, Durrësi do e humbasë shpejt shkëlqimin e beftë dhe shqiptarët do rendin gjithnjë jashtë kufijve për pushime.

Është mëkat i madh që turistët tanë t’i marrë Budva, Turqia, Egjipti, Greqia a kushdoqoftë, aq kohë sa natyra na i ka dhënë të gjitha!

Mjafton vetëm dora dhe mendja e njeriut për të përmirësuar shërbimin. Vetëm kaq. Shërbimi, shërbimi, shërbimi... Ky do jetë dështimi a fitorja e turizmit vendas që me yzmetin e duhur, mund t’i sjellë ekonomisë një rritje të paimagjinueshme.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu