Hapësire reklamuese

Politikë

"Tunden" prangat, Berisha nuk pyet për GJKKO, thyen vendimin dhe poston në Facebook

Shkruar nga Newsbomb

Ky Vit i Ri do e gjejë ish-kryeministrin Sali Berisha të mbyllur në shtëpinë e tij, pa mundur të komunikojë me asnjë person, përveç familjes.

Mirëpo, edhe pse i izoluar dhe me mbikëqyrje policore, ai ka vijuar mosbindjen ndaj organeve të drejtësisë duke bërë edhe postimin e parë në rrjetet sociale.

Berisha me bindje të plotë, theu urdhërin e GJKKO duke komunikuar virtualisht me ndjekësit e tij në Facebook. Natyrshëm lind pyetja: Nëse Sali Berisha vijon të mos zbatojë vendimin, a do përfundojë në qeli nga BKH?

Edhe pse kanë kaluar disa orë, asnjë lajm apo masë edhe nuk është marrë ndaj tij. Ishte vetë avokati i tij, Genc Gjokutaj, i cili tha shprehimisht sot se Berishës i ndalohet komunikimi, për shkak të masës “Arrest në shtëpi”.

Ky vendim shoqërohet me ndalimin e komunikimit. Gjykata duhet të japë një shkurtim vendimi, pastaj ekzekutimin (e vendimit) e bën SPAK. U vendos ndalim i komunikimit vetëm me personat e familjes”, u shpreh Genc Gjokutaj.

Vlen të theksohet se në kërkesën e SPAK drejtuar GJKKO-së, të zbardhur pak ditë më parë, kërkohej qartë që Sali Berisha të mos ketë komunikim me asnjë person tjetër përveç personave që jetojnë me të në banesën e tij.

SPAK kërkoi që Berisha të ‘izolohet’ në banesën e tij në rrugën “Mustafa Matohiti” në Tiranë ku punonjës policie do të sigurojnë që ai të mos largohet nga banesa si dhe i ndalohet të komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që banojnë me të.

Kjo do të thotë se Berishës i ndalohej edhe komunikimi me ndjekësit e tij në facebook apo platformat e tjera sociale, çka nënkupton se ish-kryeministri ka zgjedhur të mos zbatojë vendimin.

Kërkesa e SPAK për masën “arrest shtëpie” ndaj Sali Berishës
Kërkesa e SPAK për masën “arrest shtëpie” ndaj Sali Berishës

“… me masën e sigurimit “arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, në adresën e vetëdeklaruar në akte nga personi nën hetim Sali Berisha duke e urdhëruar atë të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën rruga “Mustafa Matohiti”, duke u siguruar mbrojtja e tij me punonjës policie të shtetit si dhe ndalimin e komunikimit me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të”– thuhej në kërkesën e zbardhur të SPAK.

Kujtojmë se pak ditë më parë, me 75 vota pro Kuvendi i Shqipërisë i hoqi imunitetin e deputetit, ish-kryeministrit Sali Berisha, duke i hapur në këtë mënyrë rrugë SPAK-ut për hetimet lidhur me aferën e ish-kompleksit Partizani. Jamarbër Malltezi dhe Fatmir Bektashi ranë në pranga për të njëjtën çështje, por për ish kryeministrit nuk u mor e njëjta masë.

Shkak për këtë gjë është bërë mosha e thyer e Berishës, i cili dy muaj më parë festoi ditëlindjen e 79-të. Si dhe pasaporta e ish-kryeministrit është bllokuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, duke i hequr atij mundësinë për t’u larguar jashtë vendit. Mirëpo ekziston mundësia që GJKKO të vendosë dhe arrest me burg, në rast se e kërkon Prokuroria, pasi pika 2 e nenit 230 të Kodit të Procedurës Penale thekson se në raste të veçanta, masa e sigurisë mund të ketë këtë formë shtrënguese, kur vepra penale e konsumuar ka parashikim dënimi deri në 10 vite.

Ai është një ndër zyrtarët më të lartë të shtetit për të cilin është vendosur një masë sigurimi, duke u bërë i pari ish-president i Republikës që ka hesape të hapura me drejtësinë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese